Hoti: Marrëdhëniet Kosovë – SHBA kulmuan me Marrëveshjen e Uashingtonit – keq që nuk u zbatua
Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka thënë se relacionet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak a shumë kanë qenë konstante prej një administrate në tjetrën, por me intensitete të ndryshme. Hoti tha se si parime të politikës së jashtme të ShBA-së, marrëdhëniet me Kosovën s’kanë ndryshuar shumë me ndërrimin e…
Lajme
Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka thënë se relacionet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak a shumë kanë qenë konstante prej një administrate në tjetrën, por me intensitete të ndryshme.
Hoti tha se si parime të politikës së jashtme të ShBA-së, marrëdhëniet me Kosovën s’kanë ndryshuar shumë me ndërrimin e administratës, por shtoi se në katër vitet e fundit ka pasur një intensitet më të ulët të bashkëpunimit.
“Katër vitet e fundit mund të them se ka pasur një intensitet të ulët të bashkëpunimit, ndoshta edhe për shkak të rrethanave globale, por në masë të madhe, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë edhe në bazë të sjelljeve që ka pasur Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe”.
“Në presidencën e parë të presidentit Trump ne e arritëm Marrëveshjen e Uashingtonit. Pra, kulmuan marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara me këtë marrëveshje. Keq që s’u zbatua gjatë kësaj qeverisje në Kosovë”, tha Hoti në “Info Magazine”.
Ish-kryeministri Hoti më tej tha se pret që në qeverisjen e ardhshme të nis zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Uashingtonit, e po ashtu pret nga Trumpi që të ketë një qasje shumë më dinamike në adresimin e çështjeve në Ballkan.
“Unë pres që në qeverisjen e ardhshme unë pres që të fillojë zbatimi i plotë, i menjëhershëm i kësaj marrëveshje. Po ashtu pres që duke pasur parasysh përvojën në mandatin e parë të presidentit Trump, ndoshta edhe përvojën e tij personale si njeri i biznesit, njerëzit e biznesit nganjëherë janë shumë më pragmatik në gjetjen e zgjidhjeve, pres një qasje shumë më dinamike dhe më pragmatike në adresimin e çështjeve në Ballkan dhe në përmbylljen e marrëdhënieve e disa shteteve në Ballkan”.
“Ndoshta edhe rregullimin e brendshëm të Bosnjë dhe Hercegovinës, edhe hapjen e perspektivës për integrim të shpejt në BE të tri vendeve të Ballkanit Perëndimor që pothuajse i kanë plotësuar kushtet, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dhe përmbyllja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe lëvizja drejt BE-së dhe integrimit në NATO”, tha Hoti.