Hoti: E vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme

Në 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Andin Hoti ka kujtuar dëshmorët dhe ka thënë se e vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka rikujtuar një deklaratë të Fehmi Lladrovcit, të bërë për mediat ndërkombëtare në vitin 1998, duke thënë se fjalët e tij tregojnë…

Lajme

22/09/2026 15:37

Në 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Andin Hoti ka kujtuar dëshmorët dhe ka thënë se e vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka rikujtuar një deklaratë të Fehmi Lladrovcit, të bërë për mediat ndërkombëtare në vitin 1998, duke thënë se fjalët e tij tregojnë rrugën që duhet ndjekur sot për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.

“Shqiptarët kanë pritur shumë kohë për t’i parë Bashkësia Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar”, ka cituar Hoti fjalët e Lladrovcit.

Hoti ka thënë se, ndonëse deklarata ishte bërë në një kontekst tjetër, sot rruga duhet të ndiqet përmes bashkimit dhe përdorimit të mekanizmave institucionalë, juridikë dhe diplomatikë.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që para Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithë botës dhe, para së gjithash, para Gjykatës së Apelit, të mbrojmë dhe rikonfirmojmë të vërtetën dhe pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së, si dhe pafajësinë e ish-drejtuesve të saj: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, ka shkruar ai.

Sipas Hotit, beteja për mbrojtjen e kësaj të vërtete vazhdon në aspektin juridik, politik dhe diplomatik.

“E vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme. Por beteja juridike, politike dhe diplomatike për mbrojtjen e saj vazhdon dhe ne, si komb dhe si shtet, nuk guxojmë t’i ndahemi”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka kujtuar edhe Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin, të cilët, sipas tij, ranë më 22 shtator 1998 në fshatin Gradinë, gjatë përballjes me forcat serbe.

“Lavdi e përjetshme Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Hoti. /Lajmi.net/