Historia e SIM kartelave

Çfarë është një SIM kartelë dhe pse është kaq e rëndësishme? A ekziston ndonjë mënyrë tjetër për ta përdorur telefonin celular pa pasur nevojë për SIM kartelë? Për të gjitha këto pyetje lexoni me poshtë: Çfarë janë SIM kartelat? Në botën e telefonave celularë, janë dy lloje të telefonisë që janë në dispozicion për konsumatorët:…

Auto & Tek

16/12/2013 19:00

Çfarë është një SIM kartelë dhe pse është kaq e rëndësishme? A ekziston ndonjë mënyrë tjetër për ta përdorur telefonin celular pa pasur nevojë për SIM kartelë? Për të gjitha këto pyetje lexoni me poshtë:

Çfarë janë SIM kartelat?

Në botën e telefonave celularë, janë dy lloje të telefonisë që janë në dispozicion për konsumatorët: GSM (Global System for Mobile) dhe CDMA (Code Division Multiple Access). Telefonat GSM janë ata që përdorin SIM kartela, ndërsa telefonat CDMA nuk përdorin fare, transmeton ameble.com.

SIM kartelat janë kartelat e vogla të cilat përmbajnë një çip në vete që për të funksionuar duhet të futet në telefona GSM. Pa SIM kartelë, një telefon GSM nuk është në gjendje të zgjedh ndonjë rrjet mobil. Pra kartela është ajo që mban të gjithë informacionet e nevojshme për të funksionuar.

Në anën tjetër operatoret CDMA në vete përmbajnë listën e telefonave që janë të lejuar për t’u përdorur në rrjetin e tyre përkatës.

Celularët janë të regjistruar me nga një numër serial elektronik ESN (electronic serial number) në mënyrë që atyre mos t’ju nevojitet SIM kartela. Menjëherë pasi të aktivizohet një telefon CDMA është i lidhur direkt me rrjetin e atij operatori të veçantë.

Shembull, tek ne kjo nuk përdoret fare, mirëpo në Shtetet e Bashkuara shumica e operatoreve ofrojnë telefon celular CDMA, duke përjashtuar operatorin AT&T dhe T-Mobile, të cilët të dy përdorin edhe teknologjinë GSM.

Ndërkombëtarisht, GSM është teknologjia më e përhapur, kryesisht për shkak të legjislacionit dhe ndikimit të industrisë, kjo shtyn ofruesit drejt përdorimit të GSM-it.

Si funksionojnë SIM kartelat?

Çfarë lloj informacioni mban një SIM kartelë? Pjesën më të rëndësishme të të dhënave që përmban një SIM është IMSI (International Mobile Subscriber Identity) dhe çelësin hyrës (authentication key) që vërteton IMSI. Ky lloj çelësi jepet nga operatori përkatës.

Të dhënat identifikuese në të, jo vetëm që përcaktojnë lidhjen me rrjetin e përcaktuar, por edhe veprojnë si “kredenciale hyrëse” (login credentials), të cilat e lejojnë një telefon të përdor atë rrjet.

Për këtë arsye, SIM kartelat janë vërtetë mjaft të përshtatshme kur është rasti i ndërrimit të telefonit si pajisje. Përderisa të dhënat tuaja parapaguese janë në SIM kartelë, atëherë ju mund të kyçni SIM kartelën tuaj në çfarëdo telefoni tjetër dhe gjithçka funksionon.

Nga ana tjetër, telefonat me teknologjinë CDMA është më vështirë, sepse vetë telefoni është ai që posedon çelësin hyrës në rrjetin e regjistruar në operatorin përkatës.

Çdo SIM kartelë ka një identifikues (ID) unik të quajtur ICCID (Integruar Circuit Card Identifier), i cili është i vendosur në kartelë dhe i gdhendur mbi të.

ICCID përmban 3 numra: një numër identifikimi për pronarin e SIM kartelës, një numër identifikues për llogarinë individuale dhe një numër tjetër që është mbledhur nga dy numra të tjerë për siguri shtesë.

SIM kartelat gjithashtu kanë mundësinë për ruajtjen e disa informacioneve tjera, të tilla si të dhënat për listën e kontakteve dhe mesazheve SMS. Shumica e SIM kartelave kanë kapacitet mes 32-128 KB.

Transferimi i këtyre të dhënave përfshinë kryesisht kalimin e SIM kartelës nga një telefon në një tjetër, edhe pse në ditët e sotshme është bërë më pak e rëndësishme, me ardhjen e shumë aplikacioneve për transfer.

Sot, hapësirën për këto të dhëna e posedojnë pajisjet celulare kështu që SIM kartelat tani nevojiten vetëm për identifikim me operatorin.

Po SIM kartelat e bllokuara (locked SIM) si funksionojnë?

Teknikisht, telefonat GSM janë të mbyllur dhe jo SIM kartelat. Në praktikë, operatoret GSM mund të konfigurojnë telefonat e tillë, që një telefon i veçantë pranon vetëm një SIM kartelë të caktuar nga një operator i veçantë.

Nëse një telefon apo SIM kartelë nuk përputhen, atëherë telefoni nuk funksionon. Kjo është, që ne shpesh e dëgjojmë “telefoni është i mbyllur” (locked).

Zhbllokimi i një telefoni, është procesi i heqjes së këtij kufizimi që një telefon të mund të pranoj SIM kartela edhe nga operatoret e tjerë.

Për ketë arsye smartphone’t që shpesh blihen nga të afërmit në vende evropiane apo shtete tjera, nuk mund t’i përdorin SIM kartelat tona dhe për ketë arsye nevojitet zhbllokimi i pajisjes.

Ngjashëm është kur planifikoni të blini një smartphone nga jashtë vendi, është mirë të pyesni nëse është i mbyllur (locked). Tek ne, smartphone që ofrohen nga operatoret tonë nuk janë të mbyllur.