Albanian ICT Awards hapi Edicionin e 11-të me imazhin e dhjetëra novatorëve dhe yjeve në teknologji

Mbi 100 pjesëmarrës si nxënës, profesionistë, akademikë dhe sipërmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u mblodhën mbrëmjen e 10 Mars për të nisur dekadën e dytë të garës mbarëkombëtare të inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes Albanian ICT Awards. Organizuar nga ICTSmedia dhe Organizata ALBICT, mbi 300 evenimente, 2500 garues dhe 200 finalistë përgjatë 10 viteve Albanian ICT Awards ka shpërblyer pionerët Shqiptarë të teknologjisë dhe inovacionit të…

Auto & Tek

13/03/2023 18:21

Mbi 100 pjesëmarrës si nxënës, profesionistë, akademikë dhe sipërmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u mblodhën mbrëmjen e 10 Mars për të nisur dekadën e dytë të garës mbarëkombëtare të inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes Albanian ICT Awards.

Organizuar nga ICTSmedia dhe Organizata ALBICT, mbi 300 evenimente, 2500 garues dhe 200 finalistë përgjatë 10 viteve Albanian ICT Awards ka shpërblyer pionerët Shqiptarë të teknologjisë dhe inovacionit të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmuar në ngritjen bizneseve dhe sipërmarrjeve më të suksesshme por edhe ekosistemit në tërësi.

Tema e evenimentit të hapjes së edicionit të 11-të të Albanian ICT Awards ishte imazhi dhe identiteti i dhjetërave novatorëve, yjeve në ngritje, sipërmarrësve, hakerëve etikë grave dhe vajzave në teknologji dhe akademikëve.

Nën kryetarja e Bashkisë Tiranë zj. Keti Luarasi, përfaqësuesja e Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon zj. Andriola Kambo, Zëvendës Përfaqësuesja e UNICEF Albania zj. Edina Kozma, bashkëthemeluesi i Albanian ICT Awards z. Kushtrim Shala, anëtari i jurisë z. Igli Gjelishti, themeluesi i Shoqatës së Teknologjisë dhe Informacionit AITA z. Dritan Mezini, dhe përfaqësuesi i TDI pranë RIT Kosovo z. Enis Vehapi ju bashkuan këtij evenimenti.

“I nderuar me të nisim këtë edicion me prapavijen e fotografive të fituesve dhe anëtarëve të jurisë ndër vite,” u shpreh bashkëthemeluesi i Albanian ICT Awards z. Kushtrim Shala ndërsa vijoi fjalën e tij hapëse me përshkrimin e arritjeve përgjatë 10 viteve.

“ICT Awards vjen këtë edicion me një partneritet me Unionin e Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon dhe ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve për zhvillimin e mëtejshëm të TIK, inovacionit dhe sipërmarrjes në mbarë trevat Shqiptare dhe vëmendje të veçantë komunat e drejtuara nga kryebashkiakë Shqiptarë.”

Forcimi i bashkëpunimit mes dy palëve synon zhvillimin e aftësive të të rinjve, evidentimin dhe zgjidhjen e sfidave sociale në komunitetet e tyre, zhvillimin ndërpersonal, rritjen e aftësisë së menduarit kritik rreth informacioneve që shfaqen në media dhe llojet e saj por mbi të gjitha aftësimin me njohuritë e shekullit 21.

Përfaqësuesja e Unionit zj. Andriola Kambo gjatë fjalës së saj të rastit u shpreh entuziaste për bashkëpunimin e cili shtrirjen e Albanian ICT Awards e çon në një nivel akoma më kardinal në aspektin e gjithëpërfshirjes së talenteve nga çdo trevë shqiptare.

“E lumtur që Tirana është pritëse e këtij evenimenti. Bashkia Tiranë është e gatshme të mbështesë të rinj fitues dhe të talentuar që aspirojnë të bëhen agjentë të ndryshimeve pozitive në shoqëri,” tha nën kryetarja e bashkisë Tiranë zj. Keti Luarasi.

Anëtarë juria prej 10 vitesh, z. Igli Gjelishti gjatë fjalës së tij të rastit vuri theksin tek rëndësia që ka vazhdimësia e Albanian ICT Awards por gjithashtu foli për disa prej proceseve të aplikimit dhe vlerësimit.

Zëvendës përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri, zj. Edina Kozma foli për rëndësinë e mbështetjes së një evenimenti të tillë si Albanian ICT Awards i cili fuqizon të rinjtë. Evenimenti u përshëndet edhe nga i ftuari nga Kosova z. Enis Vehapi dhe kontribuuesi i ekosistemit ndër vite z. Dritan Mezini.