Haziri: Policia e nisi eskalimin, zëri ynë nuk është dhuna e huliganizmi
Organizatori i protestave të përnatshme në sheshin “Skënderbeu”, nën parullën “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, e ka quajtur të papranueshme sjelljen e Policisë gjatë protestës së djeshme, ndërsa ka shprehur keqardhje për incidentet e ndodhura. Haziri ka kërkuar edhe sot miratimin përfundimtar të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar…
Lajme
Organizatori i protestave të përnatshme në sheshin “Skënderbeu”, nën parullën “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, e ka quajtur të papranueshme sjelljen e Policisë gjatë protestës së djeshme, ndërsa ka shprehur keqardhje për incidentet e ndodhura.
Haziri ka kërkuar edhe sot miratimin përfundimtar të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Ai tha se sot iu është bashkuar protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ka njoftuar se protesta e organizuar nga “Jo në emrin tim” do të mbahet në orën 12:00.
“Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, tha ai.
Haziri tha se ndjen keqardhje për çdo incident, por pretendoi se eskalimi ka nisur nga Policia.
“Jemi munduar në vazhdimësi që protesta të jetë e qetë, deri kur Policia ka gjuajtur gaz lotsjellës, e njërit nga shokët tanë ia kanë thyer edhe këmbën”, tha ai.
Ai tha se nuk e kupton se si Policia u ndikua që të reagonte në atë mënyrë ndaj protestuesve.
“Zëri ynë nuk është dhuna e huliganizmi”, tha Haziri.
Në fund, ai kritikoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ai “po tenton të na i marrë edhe sheshet”. /Lajmi.net/