Haziri pas kthimit të ligjit për Specialen në Kuvend: Kushdo që tenton të luajë me UÇK-në, do të na ketë përballë
Çlirim Haziri nga platforma “JO NË EMRIN TIM” ka reaguar pas vendimit të Presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Haziri ka thënë se, për 21 ditë e 21 net, kanë qëndruar në shesh me kërkesën që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi…
Lajme
Çlirim Haziri nga platforma “JO NË EMRIN TIM” ka reaguar pas vendimit të Presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Haziri ka thënë se, për 21 ditë e 21 net, kanë qëndruar në shesh me kërkesën që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, transmeton lajmi.net.
Ai ka theksuar se qëllimi i protestave nuk ka qenë miratimi i një ligji vetëm për hir të votimit, por hartimi i një ligji që qëndron juridikisht dhe që mund të prodhojë rezultate konkrete.
“Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se platforma do ta përcjellë me kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit, si dhe do ta monitorojë zbatimin e secilit nen.
Haziri ka paralajmëruar se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për ta keqpërdorur kauzën e UÇK-së.
“Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”, ka thënë ai.
Në fund, Haziri ka ritheksuar se qëndrimi dhe kërkesat e platformës nuk kanë ndryshuar, duke nënvizuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë në mbështetje të UÇK-së.
Postimi i plotë:
Po shoh shumë reagime e akuza pas kthimit të ligjit në Kuvend, prandaj dua ta sqaroj edhe një herë qëndrimin tonë.
Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh.
Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real.
Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai.
Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit. Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje.
Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë.
Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar.
Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë./lajmi.net/
facebook.com