Haziri: Nëse në LDK ekzistojnë dy grupe, atëherë unë jam përfaqësuesi i grupit më të madh – tjerët s’kanë legjitimitet e forcë

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka komentuar komunikimin mes Kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe anëtarit të Kryesisë, Avdullah Hotit, pas publikimit të disa bisedave brenda partisë në lidhje me votat me postë. Për kryetarin e LDK-së, akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk…

Lajme

01/04/2025 22:18

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka komentuar komunikimin mes Kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe anëtarit të Kryesisë, Avdullah Hotit, pas publikimit të disa bisedave brenda partisë në lidhje me votat me postë.

Për kryetarin e LDK-së, akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë.

Haziri tha se në këtë bisedë ka shkruar edhe ai, e madje se me mesazhin e tij “ka faktuar” diçka.

I pyetur nëse tash LDK është e ndarë në dy grupe, njëri Hoti e tjetri Abdixhiku, Haziri tha se nëse në këtë parti ka dy grupe, ai vetë është përfaqësuesi i grupit më të madh.

Haziri deklaroi se jashtë tij në LDK, tjerët s’mund të dalin me grup politik sepse s’kanë legjitimitet dhe forcë, duke rikujtuar se ai ishte i vetmi që i kishte dalë si kundërkandidat Abdixhikut për kryetar të LDK’së.

“Nëse në LDK ekzistojnë dy grupe, atëherë unë jam përfaqësuesi i grupit më të madh sepse unë kam qenë kandidat për kryetar komune por edhe të partisë në të njëjtin vit. Pse s’ka dalë më 19 nëntor 2023 asnjë kandidat me sfidu Lumir Abdixhikun…Jashtë meje në LDK s’mundet me dalë grup tjetër politik sepse s’kanë legjitimitet, s’kanë forcë edhe është vetëm për konsum të brendshëm. Le të urdhërojnë nëse dikush mundet me ba këtë punë”, deklaroi Haziri në Kanal 10.

Lidhur me postimin e Hotit, ku ai kërkoi lidership të ri në LDK, Haziri ka thënë se Hoti e ka shprehur vetëm mendimin e tij.

“LDK është një kryetar, një parti edhe një qëllim. Krejt tjetra është zhurmë. Avdullah Hoti ka marrë pjesë në debat të brendshëm, ka kontribu në debat të breddshëm dhe ka vendos debatin e brendshëm me plasu jashtë. Por, ai ka vendos. Vetëm ai ka vendos. Nuk është njeri që bën zhurmë politike, nuk është njeri që konsumon politikisht. Ai është kryemministër i Republikës, i nominuar dy herë nga LDK. Kur e kemi nje emër të vlerësum, na e respektojmë dhe vlerësojmë”, tha Hoti.