Haziri: LDK-ja nuk duhet ta dëmtojë veten në emër të demokracisë së brendshme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për procesin e ardhshëm zgjedhor brenda partisë, duke kërkuar që debatet dhe garat për kryetar të zhvillohen në përputhje me strukturat dhe rregullat e brendshme të subjektit politik. I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Haziri ka thënë se emrat që po…
Lajme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për procesin e ardhshëm zgjedhor brenda partisë, duke kërkuar që debatet dhe garat për kryetar të zhvillohen në përputhje me strukturat dhe rregullat e brendshme të subjektit politik.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Haziri ka thënë se emrat që po përmenden për garën e ardhshme për kryetar e pasurojnë procesin, por ka paralajmëruar se demokracia e brendshme nuk duhet të shndërrohet në një faktor që e dëmton partinë, transmeton lajmi.net.
“Demokracia e brendshme në LDK ka qenë e simpatune deri në atë pikë sa na është bërë shprehi e keqe, në emër të demokracisë së brendshme me dëmtuar qëllimin ton politik. LDK duhet me u kthy në shtëpinë e vet”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka theksuar se diskutimet për kandidaturat dhe propozimet nuk duhet ta zëvendësojnë funksionimin e organeve të zgjedhura të partisë, duke vlerësuar se procesi duhet të zhvillohet sipas normave dhe rregullave të përcaktuara nga vetë LDK-ja.
“LDK-ja me vet faktin që debate me propozime e me vet propozime fillon fushatën, kjo thotë që nuk është në shtëpinë e vet. Shpija e LDK-së është ku burrat dhe gratë ulën në strukturë, në organet e veta të zgjedhura, normat i kemi, vetme me ju kthyer normave tona edhe me shkaktua procesin e brendshëm i cili nxjerrë në pah vlerat tona”, është shprehur ai.
Haziri ka shtuar se partia duhet të nisë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar këtë si një proces që kërkon angazhim dhe reflektim serioz brenda strukturave të saj.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka një vizion të ndryshëm për mënyrën se si duhet të drejtohet LDK-ja, krahasuar me drejtimin aktual të partisë.
Ndërkohë, gara për kryetarin e LDK-së pritet të zhvillohet pas rreth një viti. Deri më tani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe deputeti Arben Gashi kanë konfirmuar kandidaturat e tyre për këtë pozitë, të cilën aktualisht e mban Lumir Abdixhiku./lajmi.net/