Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të dilte me zbulimin e të vërtetës

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka kritikuar Vetëvendosjen, pas planifikimit të saj për agjendën për 8-vjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të VV-së Astrit Deharit. Ai vlerëson se në këtë përvjetor partia në pushtet do të duhej të dilte me zbulimin e të vërtetës për vdekjen e Deharit. “Shah e ping-pong me Deharin! Shah, ping-pong e…

Lajme

03/11/2024 13:39

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka kritikuar Vetëvendosjen, pas planifikimit të saj për agjendën për 8-vjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të VV-së Astrit Deharit.

Ai vlerëson se në këtë përvjetor partia në pushtet do të duhej të dilte me zbulimin e të vërtetës për vdekjen e Deharit.

“Shah e ping-pong me Deharin! Shah, ping-pong e përformanca artistike paska organizuar LVV-ja për ta shënuar 8-të vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit. Si munden aq shpejt ta harrojnë kauzën e tyre, zbulimin e vdekjes së Astritit? Duke qenë në pushtet më shumë se 4 vjet, në këtë përvjetor do të duhej të dilnin me zbulimin e të vërtetës së vdekjes së tij, jo të organizojnë lojra shahu e pingponu”, shkroi Haxhiu.

“Mjaft luajtën pingpong me këtë familje që u manipulua qëllimisht. Përse në mandatin e tyre humbën mostrat e Astrit Deharit, përse u dogj Instituti ku ndodheshin ato?”, shtoi ai.

Haxhiu thotë se VV-ja sot do të duhej të jepte përgjigje para familjes dhe qytetarëve, për pyetjet e lartcekura.

“Sot para familjes dhe qytetarëve do të duhej këtyre pyetjeve t’u jepnin përgjigje. Besa, edhe shumë pyetje tjera, si ndodhi që të dy djemtë e Avni Deharit të bëjnë vetëvrasje brenda një kohe të shkurtë e që për Arbnorin nuk flitet, as për vetëvrasjen e tij, si ndodhi? Kush e shtyu deri në vetëvrasje?”, shkruan në postimin e publikuar në Facebook, nga deputeti i PDK-së.

“Mjaft luajtët pingpong me ndjenjat e njerëzve, mashtrues të cilëve po u vie fundi. Me Kurtin në pushtet Kosova është aq keq, prandaj i duhet një kryeministër si Bedri Hamza për ta bërë”, thuhet tutje aty.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, vdiq më 5 nëntor 2016 në Burgun e Prizrenit, në rrethana ende të paqarta.