Haxhiu për tri viktimat e identifikuara: Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre – sot ato e dinë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konfirmimit të identitetit të tri viktimave të “Grupit të Intelektualëve”, përmes analizave të ADN-së. Mbetjet mortore të viktimave ishin zhvarrosur në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Sipas njoftimeve zyrtare, viktimat ishin pjesë e…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konfirmimit të identitetit të tri viktimave të “Grupit të Intelektualëve”, përmes analizave të ADN-së.
Mbetjet mortore të viktimave ishin zhvarrosur në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Sipas njoftimeve zyrtare, viktimat ishin pjesë e grupit të shqiptarëve nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999, raporton lajmi.net
Haxhiu ka thënë se tri familje, pas 27 vitesh pritjeje, sot kanë marrë lajmin për fatin e familjarëve të tyre.
Postimi i i plotë:
Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999.Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Ata ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi.
Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim.
Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë./Lajmi.net/