Haxhiu: KPK nuk është më rreth i mbyllur, drejtësi më e pavarur për qytetarët
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se, si rezultat i ndryshimeve ligjore të miratuara, nga janari 2026…
Lajme
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se, si rezultat i ndryshimeve ligjore të miratuara, nga janari 2026 KPK ka filluar punën me përbërjen e re ligjore prej shtatë anëtarësh.
Sipas saj, për dallim nga përbërja e mëparshme, balanci ndërmjet anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë është tashmë dukshëm më i afërt, duke garantuar që ky institucion kyç të mos mbetet një rreth i mbyllur i grupeve të interesit brenda sistemit prokurorial.
“Përfshirja e zërave të pavarur nga jashtë sistemit siguron vendimmarrje të paanshme dhe të pandikuar,” ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se, sapo të konstituohet Kuvendi i Kosovës, do të sigurohet që edhe anëtari i mbetur jo-prokuror të zgjidhet pa vonesa, përmes një procedure transparente dhe profesionale, pa ndikime politike, ashtu siç parashihet me Ligjin e ri.
Në fund, ministrja në detyrë ka theksuar përkushtimin për të çuar deri në fund reformën në drejtësi, me synimin për ndërtimin e një sistemi plotësisht të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm për qytetarët. /Lajmi.net/