QKUK ngre Shtab Emergjent: Masa urgjente për largimin e qenve endacakë nga kampusi

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent brenda këtij institucioni, si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë në hapësirat e kampusit. Sipas njoftimit, qëllimi i këtij shtabi është garantimi i sigurisë së pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve,…

Lajme

30/04/2026 11:27

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent brenda këtij institucioni, si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë në hapësirat e kampusit.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij shtabi është garantimi i sigurisë së pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes masave urgjente për identifikimin, kontrollin dhe largimin e qenve endacakë, si dhe parandalimin e rrezikut të mëtejshëm.

Shtabi Emergjent do të përbëhet nga përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, Kliniken Emergjente, Zyrën Ligjore dhe Shërbimin e Sigurimit dhe zjarrfikësve.

Në këtë mekanizëm janë përfshirë edhe institucione relevante jashtë QKUK-së, si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, Policia e Kosovës, inspektoratet komunale, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë, si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.

Sipas QKUK-së, ky mekanizëm synon koordinim të shpejtë ndërinstitucional për të adresuar problemin dhe për të garantuar një ambient të sigurt brenda institucionit shëndetësor. /Lajmi.net/