Në përvjetorin e masakrës në Shtuticë, Kurti kërkon përshpejtim të ndëshkimit të krimeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka bërë homazhe në nderim të dëshmorëve, në 27-vjetorin e masakrës në Shtuticë. Ai deklaroi se edhe pas 27 vjetësh po shënohen përparime në arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë, përfshirë edhe gjykime në mungesë. “Ka përparime sa i përket fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me…

Lajme

30/04/2026 11:29

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka bërë homazhe në nderim të dëshmorëve, në 27-vjetorin e masakrës në Shtuticë.

Ai deklaroi se edhe pas 27 vjetësh po shënohen përparime në arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë, përfshirë edhe gjykime në mungesë.

“Ka përparime sa i përket fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet bërë më shumë dhe duhet vepruar më shpejt nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Dëshmitë janë këtu, por dëshmitarët po plaken, e shumë prej tyre edhe po vdesin. Prandaj duhet të ngutemi që drejtësia të vihet sa më parë në vend”, tha Kurti.

Ai shtoi se nuk duhet harruar se gjenocidi i Serbisë gjatë viteve 1998-1999 ishte i katërti dhe i fundit, por sipas tij, paraprakisht kanë ndodhur edhe tri të tjera ndaj popullit shqiptar ndër breza.

“Siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe na e bën të qartë se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike dhe e pavarur, shtet i orientuar drejt BE-së dhe NATO-s, i ka rrënjët e lirisë dhe themelet e institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve”, deklaroi Kurti.