Hartimi i strategjisë për ish-krerët e UÇK-së, Konjufca: Mbledhja e radhës do të jetë të shtunën

Grupi punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mblidhet sërish të shtunën. Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i këtij grupi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme pritet të punohet në sintetizimin e dokumenteve…

Lajme

05/11/2026 15:00

Grupi punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mblidhet sërish të shtunën.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i këtij grupi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme pritet të punohet në sintetizimin e dokumenteve të siguruara nga institucione dhe instanca të ndryshme, me qëllim të krijimit të një baze të përbashkët për hartimin e strategjisë.

“Mbledhjen e ardhshme e kemi pasnesër. Çka pritet të bëhet pasnesër? Kjo do të jetë një mbledhje më e gjatë, disa orësh, që do të na marrë tërë ditën. Do të punojmë që të gjitha dokumentet që i kemi prej të gjitha këtyre instancave t’i sintetizojmë në mbledhjen e ardhshme. Pastaj, grupi punues që e kemi themeluar vazhdon punën që prej të gjitha këtyre dokumenteve të dalë një strategji gjithëpërfshirëse për të gjitha institucionet e Kosovës, të cilat pastaj obligohen që ta implementojnë atë”, deklaroi ai.

Konjufca ka theksuar se procesi i punës së këtij grupi do të jetë konfidencial dhe se diskutimet nuk mund të zhvillohen në mënyrë të hapur për publikun.

Megjithatë, sipas tij, do të ketë komunikim me mediat, ndonëse informacionet rreth punimeve dhe produktit përfundimtar mund të bëhen publike vetëm deri në një masë të kufizuar.

Qëllimi i kësaj strategjie, sipas Konjufcës, është që të kontribuojë në suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit.

“Duhet të keni parasysh se veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale në mënyrën se si i zhvillon punimet ky grup. Por, natyrisht, do të kemi një relacion me mediat. Punimet tona nuk mund të jenë të hapura dhe ajo se si do ta merrni produktin e asaj çfarë prodhojmë mund të jetë deri në një masë i kufizuar. Qëllimi është me fitu rastin në procesin e apelit. Çështjet që diskutohen aty janë të ndjeshme, edhe në kuptimin vendor, edhe ndërkombëtar”, tha Konjufca.

Konjufca ka dhënë detaje edhe për organizimin dhe përbërjen e grupit strategjik, duke bërë të ditur se në mbledhjen e kaluar është bërë konstituimi i tij dhe janë përcaktuar rregullat e funksionimit.

Sipas tij, është krijuar edhe një grup punues, i cili ka për detyrë të përmbledhë në një dokument të gjitha idetë dhe propozimet e paraqitura gjatë këtij procesi.

“Në mbledhjen e kaluar u konstitua ky grup dhe pastaj themeluam rregullat e punës se si do të punojmë. E krijuam edhe grupin punues, i cili do t’i përmbledhë në një dokument të gjitha idetë që ne i kemi dhe i kisha ndarë këto sipas kategorive të cilat e përbëjnë dhe përfaqësohen në këtë grup strategjik. Qeveria përfaqësohet përmes meje, aty e kemi edhe ministrin Hoti, kemi përfaqësuesin e presidentes, përfaqësuesin e Kryesisë së Kuvendit dhe kemi të përfaqësuara edhe katër grupet parlamentare të Kuvendit. Po ashtu, edhe përfaqësuesin nga grupi i komuniteteve jo shumicë, jo serbe”, tha ai.

Këto komente Konjufca i bëri në konferencën për media pas takimit me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis. Për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së u pyet edhe kryediplomati zviceran, por ai u shpreh i rezervuar për të komentuar, duke thënë se shteti i tij e mbështet Gjykatën Speciale.

“Zvicra i mbështet Dhomat apo gjykatat ndërkombëtare. Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton ato”, tha Cassis.