Deputetët takohen me anëtarët e Këshillit Prokurorial për rastin e Arlinda Zekaj, ja çfarë u diskutua
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës ,Arian Gashi, së bashku me zëvendëskryesuesin e KPK-së dhe anëtarët e tjerë kanë pritur në takim një delegacion të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të udhëhequr nga kryesuesi i këtij Komisioni, Vigan Qorrolli. Gjatë takimit, Kryesuesi Gashi i…
Lajme
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës ,Arian Gashi, së bashku me zëvendëskryesuesin e KPK-së dhe anëtarët e tjerë kanë pritur në takim një delegacion të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të udhëhequr nga kryesuesi i këtij Komisioni, Vigan Qorrolli.
Gjatë takimit, Kryesuesi Gashi i njoftoi anëtarët e Komisionit me zhvillimet, punën dhe aktivitetet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke u ndalur në veçanti te angazhimet dhe veprimet e ndërmarra që nga marrja e detyrës së Kryesuesit, me synim përmirësimin e funksionimit të sistemit prokurorial dhe krijimin e kushteve më të mira të punës në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se përbërja aktuale e Këshillit është duke punuar vazhdimisht në avancimin e funksionimit institucional, përmirësimin e akteve normative dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete që mundësojnë rritjen e efikasitetit dhe krijimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e përgjegjësive të sistemit prokurorial.
Me këtë rast, Kryesuesi Gashi foli edhe për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e cilësoi si një sfidë të rëndësishme institucionale, duke theksuar se ky proces tashmë është përmbyllur.
“Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nevojave buxhetore dhe kapaciteteve të sistemit prokurorial. Kryesuesi Gashi theksoi se, pavarësisht kufizimeve buxhetore dhe faktit se mjetet financiare aktuale janë larg nga kërkesat e KPK-së, dhe nuk i mbulojnë të gjitha nevojat e prokurorive, Këshilli mbetet i përkushtuar për të punuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e kapaciteteve institucionale”,thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu u tha se nga ana e tyre, anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të ushtrimit të përgjegjësive të tyre parlamentare dhe mbikëqyrëse, diskutuan me përfaqësuesit e KPK-së për çështje me interes të përbashkët, duke shkëmbyer pikëpamje lidhur me fushëveprimin dhe përgjegjësitë institucionale të të dyja institucioneve. Në këtë kuadër, u diskutua edhe për nevojat buxhetore të sistemit prokurorial, si dhe për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe plotësimeve të legjislacionit përkatës, në kuadër të pakos së ligjeve që rrjedh nga Deklarata e Zotimeve.
“Takimi shërbeu si një mundësi për dialog konstruktiv dhe shkëmbim të qëndrimeve lidhur me sfidat dhe prioritetet institucionale, si dhe për shqyrtimin e mundësive për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke respektuar në tërësi pavarësinë e sistemit prokurorial dhe kompetencat kushtetuese e ligjore të secilit institucion”./Lajmi.net/




