Haradinaj: Popullit sot i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi

Fillimisht, kryeministri në detyrë, Haradinaj bëri homazhe pranë varrit të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

Lajme

26/07/2019 13:13

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit tha se, sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi të krijojë liri për popullin e tij të robëruar, transmeton lajmi.net.

 “Pa fjalën e tij, që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do të rreshtoheshin me lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se atij iu ndalua fjala, duke luftuar një jetë për lirinë e saj.

 Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, më tutje në fjalën e tij para të pranishmëve tha se, veprimtarit të shquar Adem Demaçi iu shkelën të gjitha të drejtat, por ai kurrë nuk u ndal, duke krijuar drejtësi për të tjerët, baca Adem ishte frymëzuesi.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se baca Adem për popullin e tij ishte shenjtor, që tregon rrugët se kah duhet t’i bie për të mbërri në liri dhe askush si ai nuk ka dhënë shpresë e besim për të gjallët se liria është e mundshme dhe për të krijuar duhet të guxosh.

 Kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se baca Adem do të rikthehet në Prishtinë i gdhendur në bronz, për t’ua rrëfyer brezave historinë e sakrificës dhe të për të mbajtur gjallë shpirtin tonë çlirimtar.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, më tutje tha se popullit të tij, që i është bashkuar popujve të lirë sot, i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi, për të gjetur forcën brenda vetes, për të qëndruar konsistent në mbrojtje të interesit nacional.

“Pusho i patrazuar në tokën e atdheut tonë, baca Adem. Lavdi!”

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot na ka bashkuar Adem Demaçi, sikur na ka bashkuar edhe në të kaluarën brez pas brezi. “Baca Adem tash e tutje do të flas edhe në bronz dhe do të japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi”, tha Hyseni.

Në emër të familjes, djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi Kryeministrin dhe të gjithë bashkëveprimtarët për nderimin që po i bëjnë Adem Demaçit. /Lajmi.net/