Haradinaj merr pjesë në varrimin e Don Kelmend Spaqit: Shërbimi ndaj atdheut nderohet përjetë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në varrimin e Don Kelmend Spaqit. “Shërbimi ndaj atdheut nderohet përjetë. Nderime Don Kelmend Spaqit”, ka shkruar Haradinaj. Don Kelmend Spaqi ka ndërruar jetë më 2 prill të këtij viti. Ai ka shërbyer si famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan. Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi,…

Lajme

06/04/2026 14:06

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në varrimin e Don Kelmend Spaqit.

“Shërbimi ndaj atdheut nderohet përjetë. Nderime Don Kelmend Spaqit”, ka shkruar Haradinaj.

Don Kelmend Spaqi ka ndërruar jetë më 2 prill të këtij viti.

Ai ka shërbyer si famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan.

Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.

“4 prilli, i kanë marrë 12 burra, edhe i kanë marrë me i pushkatu. Kam shku pas tyne, dhe iu kam pri, edhe ‘ose edhe mu, ose asnjë’, dhe i kam kthy në kishë. Edhe sot nuk mundem me besu se si kam mundur në atë kohë me i marrë serbit automatin prej dore e me i thanë, ti s’ki zemër me e vra kta”, është rrëfimi i vetë priftit Kelmend Spaqi për kohën e luftës, kur kishte strehuar qindra shqiptarë në kishën e tij.

“Ndaj tha ti besimtarët tu, le të rrinë në kishë, myslimanët jepani ne, e dimë ne çka bëjmë me ta. U thashë, ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë”.

“Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta”, rrëfente Dom Kelmend Spaqi.

Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.

“Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte atë kohë, “Sky News”.

Pos kësaj, Prifti Dom Kelmend Spaqi, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, ai bashkë me udhëheqësit tjerë të kishës, vendosën ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.

Postimi i plotë i Haradinajt: