Haradinaj: AAK nuk është kontaktuar nga askush, partia e parë i krijon institucionet
Në konferencë për media, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për bisedimet LDK – LV për koalicion.

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për bisedimet LDK – LV për koalicion dhe për mundësinë që AAK-ja të bëhet pjesë e ndonjë negociate për krijim të qeverisë së re.
“Sa i përket LDK dhe LV-së të them të drejtën nuk na ka kontaktu kërkush prej Vetëvendosjes në radhë të parë, nuk e dijmë çka është duke ndodhur saktësisht, skemi qenë palë nuk e dijmë procesin, e kam thënë disa herë se në sistemin tonë parlamentar, partia e parë e ka përgjegjësinë me kriju institucione”, ka deklaruar Haradinaj, transmeton lajmi.net.
Haradinaj po ashtu thotë se partia në të cilën ai udhëheq nuk është pjesë e ndonjë negociate.
“Ne nuk mundemi me kërku takim me ta, as me Kurtin as me LDK-në, unë s’kam qenë pjesë, Aleanca sosht pjesë e ndonjë negociate, qoftë me Vetëvendosjen qoftë me LDK-në”, tha ai para mediave.
Haradinaj ka arsyetuar vendimin që ka marrë për ndarjen e 250 mijë eurove për Koalicionin Global Kundër ISIS-it.
Ai ka thënë se Kosova është pjesë e këtij koalicioni dhe ka për obligim ta përkrahë atë në luftën kundër terrorizmit.
“Kosova është anëtare e koalicionit kundër terrorizimit, në kuadër të këtij obligimi i kryem detyrat tona. Kosova është e gatshme ta përkrahë këtë koalicion në aspektin ushtarak, policor dhe të inteligjencës. Kësaj here e kryem edhe obligimin financiar, këtë vit e kemi rritur shumën, vitin e kaluar ka qenë 100 mijë euro”, ka thënë Haradinaj. /Lajmi.net/