Haradinaj: AAK do t’i japë drejtimin e duhur vendit
Ramush Haradinaj ka ftuar të hënën Kryesinë dhe kryetarët e degëve të AAK-së për të prezantuar draftin final të programit zgjedhor të kësaj partie dhe për të diskutuar listën zgjedhore të AAK-së për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Sipas komunikatës së AAK-së, Haradinaj ka theksuar se vendi duhet të marrë një drejtim të ri, me këtë program, i cili e bën shkëputjen e qartë nga një qeverisje e keqe, me një qeverisje që ka program konkret për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Kosovës, duke pas parasysh gjithmonë se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe qytetari i Kosovës të ketë vërtet një qeverisje me duar të pastra.
Zhvillimi ekonomik, siguria, me theks të veçantë gjenerimi i vendeve të reja të punës, për mirëqenie dhe dinjitet të qytetarë të Republikës së Kosovës, janë baza e këtij programi zgjedhor, shtohet në komunikatë.
Kreu i AAK-së ka thënë, gjithashtu, se garanci e implementimit të këtyre politikave dhe këtij programi janë kolegët dhe kandidatët nga lista zgjedhore e AAK-së, e cila është listë gjithëpërfshirëse, e përzgjedhur, me njerëz të dëshmuar dhe ekspertë të shquar të të gjitha fushave.
Në prezantimin për media, Haradinaj ka thënë se AAK është e gatshme të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e duhur dhe të dinjitetshme të vendit.