Hap por jo kthesë

Azem Vllasi thotë se vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama mund të quhet hap i rëndësishëm por jo dhe kthesë në raportet serbo-shqiptare. Ai tha se beson që Edi Rama do t’i mbajë premtimet e dhëna për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por thotë se edhe Kosova duhet t’i përkrahë ata.

Lajme

11/11/2014 17:12

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës në Preshevë u tha shqiptarëve atje se shteti shqiptar do u garantojë atyre se askush nuk do të guxojë t’ua mohojë të drejtën që të ndjehen evropian.

Ai për më tepër, bëri krahasimin me serbët që jetojnë në Kosovë, ku tha se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë mundësi që të gëzojnë të drejtat e tyre si minoritet në Serbi.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Azem Vllasi, thotë për lajmi.net se pikërisht krahasimi i serbëve të veriut me shqiptarët e Luginës, në kuptimin e të drejtave, ishte gjëja më impresionuese në fjalimin e kryeministrit Rama.

Ai thotë se Shqipëria me aq potencial sa ka, mund të përkrahë të drejtat e shqiptarëve në Luginë edhe materialisht. Ai thotë se ka besim se premtimet e Ramës nuk do të mbesin vetëm në formë deklarative.

“Vizita e kryeministrit Rama në Preshevë ishte një ngjarje domethënëse politike dhe vetvetiu përkrahje për shqiptarët e juglindjes së Kosovës, që ata të luftojnë për të drejtat që ju takojnë”.

“Ndërsa nga premtimet dhe përkrahjen që dha Rama, më impresive ishte krahasimi me serbët e pjesës veriore të Kosovës dhe inkurajimi nga z.Rama që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kërkojnë të gjithë ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë”.

“Shqipëria ka potencial aq sa ka, që disa projekte, disa premtime që i dha të cilat kërkojnë edhe mbështetje financiare t’i realizon. Por, nuk është obligim i Shqipërisë që financiarisht të mbështet realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Para se gjithash ky është obligim i shtetit ku ata jetojnë, pra Serbisë”.

“Shqipëria nuk është superfuqi, por ka kapacitet që t’i jep mbështetje konkrete madje edhe materiale për projekte të ndryshme, jo vetëm të mbesin premtime deklarative”.

Rama gjatë fjalimit të tij përmendi që edhe me Kushtetutë, Shqipëria obligohet që të përkrahë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

Vllasi thotë se një përkrahje materiale ndodhë atëherë kur shteti ka mundësi, por thotë se në rastin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, edhe Kosova ka “hisen” e saj, në kuptimin e përkrahjes. Madje ai mendon se Kosova është më shtet amë për Luginën se sa vet Shqipëria.

Ai ka kritikuar ashpër reagimin e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq, i cili tha se u ndje i provokuar që Rama përmendi çështjen e Kosovës.

“Reagimi i Vuçiqit në mënyrë jo diplomatike, jo zotshpijaku në një mënyrë të ultë edhe nga aspekti protokollar ndaj fjalimit të Ramës, ishte më shumë manifestim i një zemërngushtësie dhe shovinizmi të serbëve e cila nuk do të dëgjojë prej gojës së një shqiptari, e për më tepër prej gojës së një kryeministri të Shqipërisë atë që është ashiqare dhe e pakontestueshme, e ajo që është Kosova shtet”.

“Vuçiq reagoi në atë mënyrë aq primitive, sa që i dha më shumë domethënie dhe jehonë fjalimit të Edi Ramës. Rama bëri mirë që e përmendi çështjen e Kosovës”.

Sipas Vllasit, vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi nuk është një kthesë në përmirësimin e raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, por është një hap pozitiv, i cili duhet të përcillet nga hapa të tjerë të vazhdueshëm, në mënyrë që të arrihet deri tek normalizimi i plotë i raporteve.

“Kjo është vizita e parë e një kryeministrit të Shqipërisë demokratike evropiane. Me qenë se është vizita e parë, megjithatë është hap dhe ngjarje e rëndësishme në procesin e stabilizimit dhe normalizimit të raporteve mes dy shteteve, të cilat synojnë integrimet evropiane”.

“Por, nuk mund të quhet kthesë sepse nuk e kishte atë efekt për tu quajtur kthesë e madhe pozitive. Por si ngjarje e ka peshën e vet dhe sa për normalizimin e raporteve shqiptaro-serbe duhet akoma të kalojë kohë, duhen hapa të vegjël por të pandërprerë dhe kjo duhet të jetë strategjia dhe jo të priten kthesa sensacionale apo ngjarje sensacionale në këto raporte”, tha për lajmi.net Azem Vllasi.