Ndalohen punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë

Janë ndalur përkohësisht punimet për vendosjen e një murali kushtuar Nënës Terezë në fasadën e ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës Leutrim Retkoceri. Mëngjesin e 28 nëntorit, pranë kësaj ministrie pati një përplasje verbale mes zyrtarëve komunalë dhe atyre policor lidhur me…

Lajme

28/11/2026 11:50

Janë ndalur përkohësisht punimet për vendosjen e një murali kushtuar Nënës Terezë në fasadën e ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës Leutrim Retkoceri.

Mëngjesin e 28 nëntorit, pranë kësaj ministrie pati një përplasje verbale mes zyrtarëve komunalë dhe atyre policor lidhur me vendosjen e muralit, që autoritetet qendrore pretendojnë se po synohet të vendoset pa leje përkatëse, por që Komuna ka argumentuar të kundërtën.

Retkoceri i tha Radios Evropa e Lirë se punimet mëngjesin e 28 nëntorit u ndaluan, me “urdhër të policisë”.

“Por jemi duke pritur një urdhër të prokurorit për vazhdimin e punimeve”, tha ai, duke pretenduar se qëllimi është të bllokohen projekte të Komunës dhe për këtë synim po jepen “urdhra verbalë nga persona politikë”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse ka lëshuar ndonjë urdhër për ndalimin e punimeve, ashtu siç thanë zyrtarët policorë mëngjesin e së shtunës gjatë një përplasjeje verbale që patën me zyrtarët komunalë pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Mëngjesin e 28 nëntorit, kreu i Prishtinës, Përparim Rama, u përplas verbalisht me Policinë dhe urdhëroi punëtorët komunalë që të vazhdonin punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës, por komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, i tha kreut të kryeqytetit të Kosovës se kushdo që vazhdon punimet do të arrestohet.

Përplasjet verbale vazhduan, me Ramën dhe zyrtarë të tjerë komunalë që kërkuan që Policia të paraqiste vendimin, që tha se është marr nga një prokuror për ndaljen e punimeve.

“Ne marrim edhe urdhra gojor”, dëgjohet duke ia kthyer përgjigjen Balaj kreut të Prishtinës, pasi ky i fundit insistoi ta shihte urdhrin me shkrim.

Por, si erdhi situata deri këtu?

E gjitha nisi më 20 nëntor, kur Komuna nisi punimet për vendosjen e muralit kushtuar Nënës Terezë.

Komuna e Prishtinës pretendon se ka bazë ligjore për të vendosur muralin, duke argumentuar se ndërtesa e Ministrisë së Ekonomisë është pronë publike.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, gjatë konferencës së përbashkët për media me Ramën, pranë vendit ku synohet të vendoset murali, tha se i kanë pesë vendime që lejojnë punimet.

“Të jemi të qartë, Komuna e Prishtinës administron dhe jep pëlqime dhe lejet për të gjitha fasadat e objekteve në kryeqytet në bazë të rregullores dhe legjislacionit në fuqi”, tha ai.

Ai një ditë ka publikuar pesë dokumente që tha se mbështesin ligjshmërinë e projektit. Ndër to, ai edhe gjatë konferencës të së shtunës, përmendi edhe pëlqimin, që tha se Komuna ka marr nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në të, në pjesën e lëndës shkruan “konfirmim i ligjshmërisë së atit të Komunës së Prishtinës”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi pengesën për vendosjen e muralit si “të papranueshme dhe patolerueshme”.

Ai u ankua se Qeveria e Kosovës “tash e sa vite po bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit”, duke përmendur një sërë prej tyre, përfshirë edhe punimet për bulevardin Xhorxh Bush.

Punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin e nëse provojnë jashtëligjshëm, atëherë normal që do të ballafaqohemi me ta”, tha Rama.

Komuna tha se ka ndarë mjetet për këtë projekt, në vlerë prej 14.875 eurosh.

Çfarë tha Ministria?

Por, Ministria e Ekonomisë ka paraqitur të tjera argumente për këtë projekt. Mbrëmjen e 27 nëntorit, kjo ministri përmes një reagimi tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, “pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.

“Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, sipas Ministrisë së Ekonomisë, ka subvencionuar një projekt dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më datë 28.09.2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e këtij projekti në objektin, “i cili nuk është në pronësi dhe nuk menaxhohet nga Komuna. Pëlqimi është i kundërligjshëm dhe i pa nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie”.

“Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë”, u tha në reagim.

Sipas saj, Prokuroria ka pezulluar punimet dhe përkundër kësaj, siç pretendoi Ministria, Komuna e Prishtinës tentoi të vazhdonte punimet mëngjesin e 27 nëntorit, por u ndalua nga Policia e Kosovës.

Ministria e Ekonomisë tha se nuk e kundërshton vendosjen e veprës artistike kushtuar Nënës Terezë, por kërkon që të respektohet ligjit.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Rama, përveç se e ka akuzuar shpesh nivelin qendror për “bllokim” projektesh, ajo më herët ka pasur edhe një përplasje lidhur me buxhetin komunal./rel