lajmi.net

VV uron 28 Nëntorin: Bashkimi kombëtar mbetet përgjegjësi e të gjithëve

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar 28 Nëntorin, duke e cilësuar këtë datë si simbol të bashkimit kombëtar dhe të përpjekjeve të brezave për liri e pavarësi. Në një postim në Facebook, VV  ka kujtuar kontributin e figurave historike shqiptare nga të gjitha trevat, përfshirë Abdyl Frashërin, Haxhi Zekën, Naim e Sami Frashërin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin,…

Lajme

28/11/2026 13:26

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar 28 Nëntorin, duke e cilësuar këtë datë si simbol të bashkimit kombëtar dhe të përpjekjeve të brezave për liri e pavarësi.

Në një postim në Facebook, VV  ka kujtuar kontributin e figurave historike shqiptare nga të gjitha trevat, përfshirë Abdyl Frashërin, Haxhi Zekën, Naim e Sami Frashërin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin dhe Idriz Seferin.

Sipas Vetëvendosjes, më 28 nëntor 1912, përfaqësues nga trevat shqiptare dhe mërgata, nën kryesimin e Ismail Qemalit, shpallën krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Në urimin e saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përmendur edhe kontributin e Mehmet Derallës, Hoxhë Tahsinit, Abedin Dinos, Josif Bagerit, De Radës, Fan Nolit, Faik Konicës, motrave Qiriazi dhe Marigo Posios në përpjekjet kombëtare.

Duke iu referuar copëtimit të trojeve shqiptare, partia ka theksuar se projekti i bashkimit mbeti i papërmbushur, ndërsa 28 Nëntori vazhdon të jetë thirrje për veprim politik e kombëtar.

“Sot, në 114-vjetorin e Pavarësisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! e merr këtë trashëgimi si detyrë politike. Sovraniteti dhe forcimi i Kosovës, përparimi i Shqipërisë, të drejtat e shqiptarëve në trevat e tyre dhe lidhja e mërgatës me atdheun janë përgjegjësi e të gjithëve”, thuhet në postim.

Në fund, Vetëvendosje ka uruar shqiptarët kudo që ndodhen, me mesazhin: “Për liri, barazi dhe bashkim kombëtar”.