Hamza u bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin për Liri: Kosova po pret 16 shtatorin, po pret të shohë cili do të jetë vendimi në Hagë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, të cilit ia ka bashkangjitur edhe një video,…

Lajme

21/08/2026 17:53

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, të cilit ia ka bashkangjitur edhe një video, Hamza ka thënë se Kosova po pret vendimin që pritet të merret më 16 shtator në Dhomat e Specializuara në Hagë, transmeton lajmi.net.

“Kosova po pret. Po pret 16 shtatorin. Po pret të shohë se cili do të jetë vendimi në Hagë”, ka shkruar Hamza.

Ai ka theksuar se qytetarët duhet të bashkohen për të ngritur zërin në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke bërë thirrje që pjesëmarrja në marsh të jetë përtej dallimeve politike.

“Kosova po pret që ta ngremë zërin për çlirimtarët tanë.

Prandaj, ju ftoj të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie politike, që më 12 shtator të bashkohemi në mbështetje të tyre.

Më 12 shtator, në orën 14:00, të gjithë bashkë në Prishtinë!

Sepse kur Kosova pret, ne duhet të jemi aty”, ka deklaruar Hamza.

Marshi organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër” nën moton “KOSOVA PO PRET”, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet katër ditë para se të pritet shpallja e vendimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë./lajmi.net/