Presidenti iranian, Pezeshkian: Lufta duhet të përfundojë tani, Irani është në pozitë të fuqishme

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se përfundimi i luftës në këtë fazë do të ishte në interes të Iranit, duke theksuar se Teherani aktualisht ndodhet në një pozitë të fuqishme. Mediat shtetërore iraniane raportuan të premten se Pezeshkian ka thënë se konflikti do të duhej të mbyllej tani, përderisa vendi i tij e konsideron…

Bota

21/08/2026 17:49

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se përfundimi i luftës në këtë fazë do të ishte në interes të Iranit, duke theksuar se Teherani aktualisht ndodhet në një pozitë të fuqishme.

Mediat shtetërore iraniane raportuan të premten se Pezeshkian ka thënë se konflikti do të duhej të mbyllej tani, përderisa vendi i tij e konsideron veten në pozitë të favorshme, transmeton lajmi.net.

“Do të ishte më mirë ta përfundojmë luftën sot, derisa jemi në një pozitë të fuqisë dhe dinjitetit”, cituan presidentin agjencia shtetërore e lajmeve Mizan dhe agjencia gjysmëzyrtare ISNA.

Deklarata e Pezeshkianit vjen në një kohë kur nga autoritetet ushtarake iraniane janë bërë paralajmërime për reagim të ashpër në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit paralajmëroi se çdo “kërcënim i ri” ndaj vendit do të merrte një përgjigje “shkatërruese”, raportoi agjencia gjysmëzyrtare Mehr.

Ndërkohë, pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë paralajmëruar se, në rast të rifillimit të luftimeve, mund të përdoren armë edhe më “shkatërruese”.

Këto zhvillime pasojnë deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump se bisedimet me Teheranin janë pezulluar, sipas CNN./lajmi.net/