Haliti për Jacobson: Nuk është dashur ta detyrojmë të flas

Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së, thotë se deklarata e ambasadores Jacobson duhet të kuptohet drejtë dhe se është në interes të vendit. Ai ka thënë se për tejkalim të krizës politike, nevojitet ndërhyrja e ndërkombëtarëve.

Lajme

06/11/2014 15:31

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, duke komentuar deklaratën  e ditës së sotme të ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson, ka thënë se duhet të kuptohet drejtë dhe se nuk është dashur që ta detyrojmë atë të flas.

Halitit në emisionin “Info – Box” të Radio Dukagjinit, ka thënë se mesazhi i Jacobson, është i mbështetur në Kushtetutën dhe Interesat e Kosovës.

“Është dashur që partitë politike në Kosovë t’i krijojnë institucionet me herët, dhe deklarata e Jacobson-it duhet të kuptohet drejt”.

“Mendoj që mesazhi i ardhur nga ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, është i mbështetur në Kushtetutën dhe në interesat e Kosovës, në interesat e elektoratit në përgjithësi”,

“Mesazhin e Jacobson-it po e kuptoj si një përpjekje publike për të na thënë ‘veproni dhe zgjidhni institucionet’. Në të kundërtën, deklarata publike mund të ‘shndërrohet’ në një takim të radhës (të liderëve të partive politike) nga i cili nuk kemi mundësi të dalim pa vendosur për të ardhmen e vendit”,ka thënë Haliti.

Ai po ashtu ka thënë se ndërhyrja e ndërkombëtarëve për tejkalim të krizës politike.

“Unë nuk po e shoh të mundshme zgjidhjen e këtij problemi pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht pa ndërhyrjen e ambasadave të shteteve perëndimore në Kosovë”, shprehet Haliti.