Guvernatori Mehmeti: Sektori bankar është bërë i besueshëm te qytetarët dhe ekonomia

Në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka vlerësuar lart përpjekjet e sektorit bankar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, sjelljes së inovacionit dhe modernizimit të vazhdueshëm të shërbimeve.

Lajme

04/12/2020 09:16

Mehmeti tha se, përgjatë viteve, sektori bankar është rritur, është bërë konkurrues, tërheqës për investime, por edhe i besueshëm te qytetarët dhe ekonomia.

“Vlen të theksohet angazhimi i pakursyer i këtij sektori që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë, ku përmes bashkëpunimit është arritur që t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në njërën anë dhe në anën tjetër duke e mbajtur sektorin bankar të sigurt dhe likuid”, tha guvernatori Mehmeti.

Ai tha se më 19 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 74/245, e cila përcaktoi 4 dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare të Bankave përmes të cilës njihet potenciali i rëndësishëm i bankave në zhvillimin e financimit të qëndrueshëm dhe sigurimin e ‘know-how’, dhe gjithashtu në njohjen e rolit jetësor të sistemeve bankare në Shtetet Anëtare për të kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës. /Lajmi.net/