Gucati në “Marshin për Liri”: Drejtësia nuk guxon të shndërrohet në rishkrim të historisë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Duke folur në “Marshin për Liri”, Gucati ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje për çlirimin e Kosovës dhe se drejtësia nuk duhet të përdoret për ta…
Lajme
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Duke folur në “Marshin për Liri”, Gucati ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje për çlirimin e Kosovës dhe se drejtësia nuk duhet të përdoret për ta ndryshuar narrativën historike të luftës.
“Jemi mbledhur për të vertetën e një populli që luftoi për të mbijetuar, për të qenë të lirë dhe për të pasuruar shtetin tonë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e çlirimit të Kosovës, dhe dinjitetin e atyre që bartën këtë barrë të rëndë. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Drejtësia nuk guxon kurrë të shndërrohet në rishikim të historisë e as ta ndjekë penalisht në një armë kundër çlirimtarëve tonë. Ne e kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzuar. Kosova nuk ishte vetëm po kishte mbrapa shtetet e bashkuara të Amerikës dhe superfuqinë botërore NATO-n; ishim aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli ynë luftonte për mbijetesë”, tha ai.
Gucati ka vlerësuar se liria e Kosovës është rezultat i një sakrifice të madhe dhe ka kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur luftën e UÇK-së si kriminale.
“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë; asnjë sallë e gjyqit nuk mundet ta fshijë këtë të vërtetë e asnjë agjent politik nuk mundet ta kriminalizojë luftën tonë të drejtë. Ne e kërkojmë drejtësi e jo historia jonë të rishkruhet. Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha ai./Lajmi.net/