Grupi i Kumanovës u torturua keq, të ndëshkohen fajtorët

Prof.dr. Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Maqedoni thotë se duhet të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, torturë dhe kanë shkelur procedurat me të paraburgosurit e Grupit të Kumanovës.

Lajme

06/02/2016 13:24

“Mund të them se nuk janë respektuar ligjet dhe ka shkelje të mëdha ligjore dhe të procedurave. Personat e privuar janë rrahur prej Kumanove deri në Shkup dhe kjo shihet në pamjet e MPB-së. Kjo ka ndodhur edhe kur kanë shkuar në pyetje tek gjykatësi i procedurës paraprake. Nga vendi i arrestimit deri tek gjykatësi personat e privuar mbahen në stacion policor deri në 72 orë. Kjo është faza më e errët e mbajtjes së personave të privuar në stacionet policore. Këtu rrihen, maltretohen, nënçmohen dhe pësojnë të zezat e ullirit. Më pas pason dërgimi tek gjykatësi hetues, i cili ka për detyrë që në atë gjendje të rrahur dhe maltretuar, të cakton masën e shërimit të detyrueshëm në spital e jo masën e paraburgimit, siç ka ndodhur me këtë grup”, theksoi Beqiri, për INA.

Sipas tij, të gjithë shkelësit dhe autorët e këtyre veprimeve brutale antiligjore lehtë mund të zbulohen, nëse vepron si duhet ligji dhe se ata mund të ndëshkohen me burg.