Greqia e dobët në organizim, por superiore në fushë ndaj Kosovës – mbyllen dilemat për pozitën e parë në grup
Kombëtarja e Greqisë ka bërë detyrat e veta dhe ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Kosovës.
Sport
Dardanët nuk kaluan aspak mirë në Greqi, si në fushën e blertë, ashtu edhe në tribuna, shkruan lajmi.net. Helenët morën një fitore 2:0, në një ndeshje ku pati shije të keqe në aspektin organizativ.
Lojtarët e Kosovës u penguan gjatë gjithë ndeshjes me laserë nga tifozët, si dhe provokuan duke shpalosur flamuj të Serbisë ku shihej edhe harta e Kosovës.
Gjithsesi, momenti vendimtar i gjithë takimit ishte në minutën e 70’, kur Georgios Giakoumakis dërgoi topin në rrjetë, me një goditje me kokë.
Pas golit, tifozët vendas sulmuan ‘Dardanët’ me mjete piroteknike dhe hodhën gjësende në fushën e blertë, por gjyqtari nuk pa të arsyeshme zbrazjen e tribunave apo mbylljen e parakohshme të ndeshjes.
Kosova nuk arriti të rrezikonte Greqinë as në pjesën e mbetur të ndeshjes – përkundrazi u ndëshkua në minutën e 99′, kur gjithë skuadra ishte përpara – dhe tani merr fund dilema për pozitën e parë në grup.
Greqia ka tashmë pikët e plota në katër ndeshje – 12 pikë – kurse Kosova mbetet me gjashtë pikë në pozitën e dytë. /Lajmi.net/