Gravity

I krijuar me anë të kombinimit të përpiktë të performansës fizike dhe digjitale, që shkrin kufirin mes aktrimit dhe animacionit, Gravity na fton që t’i kullotim sytë në spektaklin kinematografik të kozmosit dhe të mahnitemi me mrekullitë e tij.

ShowBiz

11/11/2013 16:53

Në një skenë të filmit epokal të Stanley Kubrick, 2001: A Space Odyssey, superkompjuteri nevrik Hal e hedh jashtë nga kapsula kozmike astronautin Frank Poole, duke e lënë që të sillet heshtazi nëpër zbrazësinë e asgjësë.

Duket se kjo skenë vazhdohet dhe zgjerohet në filmin Gravity, të Alfonso Cuaron, duke i hedhur Sandra Bullock dhe George Clooney në abis, kur anija e tyre kozmike goditet ashpër nga materialet e ngurta që lundrojnë nëpër gjithësi.

Duke u sjellë në vorbullën e ceflave të shpërndara në bërllokun jashtëtokësor, heronjtë tanë bukuroshë duhet të gjejnë zgjidhje për t’u kthyer sigurt në atmosferën e Tokës, ose u mbetet të enden më tutje në thellësitë e gjithësisë – të ftohtë, të errët dhe krejtësisht të vetmuar.

Ndonëse ekipi realizues i takon kategorisë A, mund të thuhet se në film dominon sentimentaliteti sublim i kategorisë B.

I krijuar me anë të kombinimit të përpiktë të performansës fizike dhe digjitale, që shkrin kufirin mes aktrimit dhe animacionit, Gravity e ngrit nivelin e intervenimit vizual shumë lart, sa që do ta linte gojëhapur edhe vetë Stanley Kubrick.

Gravity na fton që t’i kullotim sytë në spektaklin kinematografik të kozmosit dhe të mahnitemi me mrekullitë e tij. Refleksionet brilante të trupave qiellorë kanë precizitet gjallërues dhe janë mbresëlënëse në 3D.

Nëse nuk fascinoheni me realizimin e Gravity, ndoshta kinemaja nuk është për ju.

A. M.

 

Gravity

Regjia: Alfonso Cuaron

Rolet: Sandra Bullock, George Clooney, Ed Harris