Google+ “ndërron jetë” sot

2 prilli është dita zyrtare për të cilën Google ka paralajmëruar ta mbyllë rrjetin e tij social, Google+.

Auto & Tek

02/04/2019 15:39

Kompania e ç’aktivizoi krijimin e llogarive të reja në shkurt, ndërkaq përmbajtja ka filluar të fshihet sot, transmeton lajmi.net.

“Më 2 prill, llogaria juaj Google + dhe çdo faqe që keni krijuar në platformë do të mbyllen. Ne do të fillojmë të fshijmë përmbajtjen nga llogaritë e konsumatorëve në rrjetin social”, tha kompania në një njoftim në fund të janarit.

Sipas Google, do të duhen disa muaj për të fshirë të gjithë përmbajtjen, duke nënkuptuar se përdoruesit mund të jenë në gjendje të futen në llogaritë e tyre përgjatë kësaj kohe.

Vendimi erdhi pasi u gjet një gabim në lidhje me sigurimin e të dhënave përdoruesve, i cili bëri që të cenonte informata të rëndësishme të 50 milionë përdoruesve.

I lansuar më 2011-ën, rrjeti social nuk arriti të fitojë tërheqje të mjaftueshme konsumatorësh dhe të behej konkurrencë e Facebook, përkatësisht të plotësonte misionin e përcaktuar nga Google. /Lajmi.net/