Gola: Pretendimet për tensione ndëretnike në Kosovë duhen mbështetur me fakte, ndryshe ushqejnë narrativën e Vuçiqit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka reaguar ndaj deklarimeve për ekzistencën e tensioneve ndëretnike në Kosovë, duke kërkuar që pretendime të tilla të mbështeten me fakte konkrete dhe të verifikueshme. Përmes një postimi në Facebook, Gola ka vlerësuar se paraqitja e një gjendjeje të tillë pa prova nuk mund të konsiderohet thjesht kritikë…

Lajme

14/09/2026 18:38

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka reaguar ndaj deklarimeve për ekzistencën e tensioneve ndëretnike në Kosovë, duke kërkuar që pretendime të tilla të mbështeten me fakte konkrete dhe të verifikueshme.

Përmes një postimi në Facebook, Gola ka vlerësuar se paraqitja e një gjendjeje të tillë pa prova nuk mund të konsiderohet thjesht kritikë politike, pasi, sipas tij, mund të kontribuojë në narrativat që Serbia dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përdorin prej vitesh kundër Kosovës.

“Pretendimi se në Kosovë ekziston tension ndëretnik është tepër serioz për t’u artikuluar pa fakte konkrete dhe të verifikueshme. Kur bëhet pa evidence, ai pushon së qeni kritikë politike dhe ushqen pikërisht narrativën që Serbia dhe Vuçiqi e përdorin prej vitesh kundër Kosovës”, ka shkruar Gola.

Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për rastet kur deklarime të tilla përcillen edhe në mediume ndërkombëtare, duke theksuar se marrëdhëniet ndëretnike, sipas tij, duhet të vlerësohen mbi bazën e fakteve dhe jo të përshtypjeve personale.

Gola ka thënë se e kupton kritikën e ashpër ndaj Qeverisë, edhe kur ajo mund të jetë në kundërshtim me interesin shtetëror, por ka dalluar kritikën politike nga paraqitja si fakt e një gjendjeje që nuk mbështetet me prova.

Në fund, ai ka kërkuar nga të gjithë ata që pretendojnë se në Kosovë ekzistojnë tensione ndëretnike që të paraqesin faktet ose indikatorët konkretë që i mbështesin këto pretendime.

“Në mungesë të tyre, pretendime të tilla nuk janë vetëm të papërgjegjshme, por edhe objektivisht të dëmshme për Kosovën”, ka përfunduar Gola. /Lajmi.net/