Gogu për arrestimin e Vlora Hysenit: Përgjegjësia penale është individuale, e shkarkuam

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka komentuar arrestin shtëpiak të caktuar nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se qeveria e ka marrë përgjegjësinë politike përmes vendimit për largimin e saj nga drejtimi i institucionit. Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Gogu tha se përgjegjësia penale është…

Lajme

24/09/2026 10:17

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka komentuar arrestin shtëpiak të caktuar nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se qeveria e ka marrë përgjegjësinë politike përmes vendimit për largimin e saj nga drejtimi i institucionit.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Gogu tha se përgjegjësia penale është individuale dhe se për përcaktimin e saj duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.

“Përgjegjësia politike është marrë, në krye të SHISH ka një drejtues të ri derisa të ketë një drejtues përfundimtar. Përgjegjësia penale është individuale, individët kanë përballë proceseve”, u shpreh ministri.

Gogu theksoi se qeveria ka vepruar për të garantuar vijimësinë e punës së SHISH pas akuzave ndaj ish-drejtoreshës.

“Qeveria e shkarkoi drejtuesin për shkak të akuzës dhe siguroi vazhdimësinë e institucionit. Për sa i përket se çfarë ka ndodhur në institucion duhet të presim të gjithë procesin”, deklaroi ai.

Ministri shtoi se përgjegjësia politike, sipas tij, lidhet me marrjen e masave për të garantuar funksionimin e institucionit.

“Përgjegjësia politike është kur ti merr drejtimin që institucioni të vazhdojë të bëjë punën”, u shpreh Gogu.