Gjyqi në rastin e dytë të Thaçit dhe të tjerëve – seancat vijojnë në javën e dytë të prillit

Proceset gjyqësore në Hagë pritet të rikthehen në javën e dytë të muajit prill, duke hapur një kapitull të ri pas mbylljes së fazës së mëparshme në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Këtë herë, vëmendja e trupit gjykues është përqendruar te një çështje tjetër, që lidhet me dyshimet për ndërhyrje në administrimin…

Lajme

21/03/2026 23:34

Proceset gjyqësore në Hagë pritet të rikthehen në javën e dytë të muajit prill, duke hapur një kapitull të ri pas mbylljes së fazës së mëparshme në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Këtë herë, vëmendja e trupit gjykues është përqendruar te një çështje tjetër, që lidhet me dyshimet për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë, transmeton lajmi.net.

Në këtë procedurë janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Sipas pretendimeve të ngritura në aktakuzë, gjatë periudhës prill–nëntor 2023, kur Thaçi ndodhej në paraburgim në kuadër të akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ai dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme me persona që e kanë vizituar. Këto informacione lidhen me dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe me mënyrat e mundshme për të ndikuar në dëshmitë e tyre.

Po ashtu, prokuroria pretendon se janë koordinuar disa grupe të ndryshme personash me qëllim ndikimin në procesin gjyqësor që lidhej me rastin kryesor të krimeve të luftës.

Gjatë muajit prill janë planifikuar gjithsej 13 seanca gjyqësore, në të cilat pritet të shqyrtohen këto akuza dhe provat përkatëse./lajmi.net/