Gjykim politik i EULEX`it

Njëri nga avokatët mbrojtës të grupit “Lëvizja e Lirisë”, Halit Azemi dënimet ndaj 10 personave i ka quajtur drakonike dhe të paargumentuara. Ai thotë EULEX`i e bëri këtë “për t`i hyrë në hatër Serbisë”.

Lajme

22/10/2013 09:46

Ditë më parë një trup gjykues i EULEX`it ka shpallur fajtor grupin e Dobrosinit të njohur si “Lëvizja e Lirisë”.

Trupi gjykues shqiptoi dënimin për rreth 60 vite burg për dhjetë persona të cilët akuzoheshin për terrorizëm.

Valon Jashari, Skender Jashari,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skënder Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani u shplallën fajtorë për veprat penale të organizim të grupeve terroriste, pjesëmarrje në grupe terroriste dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Halit Azemi njëri prej avokatëve mbrojtës vendimin e EULEX`it e ka quajtur gjykim politik.

Sipas tij dënimet ishin drakonike dhe të fryra.

“Ishte një gjykim shumë politikë me një aktakuzë të paqëndrueshme. Dënimet ishin drakonike dhe të paargumentuara me prova apo dëshmi. Unë kam bërë ankesë dhe nuk do të pajtohem me vendimin e shkallës së parë”, citon Rajonipress të ketë thënë Azemi.

“Unë nuk e kuptoj se si mund të quhet terrorizëm sulmi i një punkti, madje nëse ka ndodhur vërtet nga një largësi bukur e madhe. Jam i sigurt se EULEX-i këtë e bëri për t`i hyrë në hatër Serbisë sepse ndryshe nuk mund të arsyetohen të gjitha ato vite burg”.

Azemi ka thënë se ekipi i mbrojtësve do t’i shfrytëzojë të gjitha të drejtat ligjore për ta bindur shkallën e dytë se gjykimi ishte përshkruar me shkelje të mëdha ligjore.

Grupi i Dobrosinit ishte i dyshuar për tri sulme në muajin maj, qershor dhe tetor të vitit 2012 në punktin Dobrosin në Bujanoc, fshat që ndodhet në afërsi të kufirit Kosovë- Serbi.