Gjykata Speciale shkon për miratim në Kuvend më 21 maj ose në fillim të qershorit
Tani për tani janë duke u diskutuar dy afate kohore se kur Gjykata Speciale do të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Lajme
Burime të RTK-së kanë deklaruar se si datë e mundshme është 21 maji, me qëllim që Gjykata të themelohet pesë ditë para mbledhjes së rregullt tremujore për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. E nëse kjo nuk do të jetë e mundshme, atëherë pritet që votimi i Gjykatës nga Kuvendi të tentohet të ndodhë në javën e parë të qershorit.
Nga burime mirë të informuara brenda ekzekutivit mësohet se faktori ndërkombëtar, veçmas zyra e BE-së, çdo ditë e më shumë po i intensifikon takimet me deputetë, me qëllim që të ketë votë të mjaftueshmë për të kaluar ndryshimet kushtetuese të cilat nevojitën për themelimin e Gjykatës Speciale.
Derisa opozita e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë këtë Gjykatë, mëdyshjet vazhdojnë ndërmjet deputetëve brenda koalicionit qeverisës. Ata të LDK-së insistojnë që Gjykata Speciale duhet të merret edhe me vrasjet e pasluftës, deri në shpalljen e pavarësisë, kurse deputetët e PDK-së rikonfirmojnë qëndrimin se nuk guxojnë t’i përziejnë vrasjet e pasluftës me atë për çfarë po themelohet Gjykata Speciale.
Vjosa Osmani, nga LDK deklaron se sa i përket draftit që është propozuar, ai parasheh që do të hetohen krimet e kryera deri në fund të vitit 2000, që nënkupton se do të përfshihen disa prej vrasjeve të pasluftës të veprimtarëve të LDK-së. “Mirëpo siç e dini unë kam kërkuar që kjo veprimtari të zgjerohet të shkoj përtej vitit 2000, sepse siç e dini shumë vrasje kanë ndodhur edhe përtej atij viti dhe kam kërkuar nga delegacioni teknik që negocionte me BE-në që këtë kërkesë ta paraqes para BE-së. Mirëpo, fatkeqësisht në draftin që e kemi parë të dorëzuar të kërkesave të delegacionit të Kosovës, ky delegacion asnjëherë nuk e ka bërë këtë kërkesë që koha të përfshijë edhe periudhën pas vitit 2000”.
Për Osmanin është domosdoshmëri zgjatja e periudhës kohore, sepse me këtë arsye LDK e ka përkrahur themelimin e Gjykatës Speciale.
E Adem Grabovci nga PDK-ja thotë se nuk duhet lejuar përzierja e vrasjeve të pasluftës me pretendimet e ngritura nga Dick Marty.
“Kjo gjykatë ka një fushëveprim tjetër dhe ne nuk guxojmë t’i përziejmë gjërat, nuk guxojmë absolutisht, nuk kemi të drejt ta akuzojmë vetveten. Ne duhet t’i gjykojmë këto krime, sepse këto krime kanë ndodhur pas luftës dhe nuk është e implikuar UÇK-ja. UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, çlirimtare, ka mbrojtur jetën dhe të drejtën e qytetarëve të vet dhe ka çliruar vendin e vet së bashku me aleatët dhe këtë pastërti të luftës do ta dëshmojmë dhe me dëshmimin e kësaj ne do t’i nderojmë dhe do të tregojmë respekt edhe ndaj aleatëve tonë që na kanë përkrahur që lufta jonë të përfundoj suksesshëm”, thotë Grabovci.
Grabovci rikonfirmon se PDK-ja do ta japë maksimumin për gjetjen dhe dënimin e kryesve të vrasjeve të pasluftës. E duke folur për Gjykatën Speciale, Grabovci tha se shumë individë do të turpërohen me ato që kanë ofruar, me shpifjet që kanë bërë ndaj vetvetes, vendit e popullit të vet.
Sido që të jetë, Osmani mendon se kjo Gjykatë duhet të themelohet, e jo të lejohet që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta bëjë këtë, sepse sipas saj, një gjë e tillë do të ishte shkelja më e madhe e sovranitetit të Kosovës.