Gjykata Speciale pa monitorim përkatës
Në Gjykatën Speciale janë vërejtur parregullsi në proceset gjyqësore, që nuk mund të pasqyrohen plotësisht me monitorim përmes transmetimit të seancave. Ekspertët theksojnë se vetëm monitorimi fizik në sallë mund ta evidentojë realisht qasjen e palëve dhe parregullsitë në proces, monitorim që nxjerr raporte përkatëse më pas. Mimika e ironizim të gjyqtarëve, pyetje sugjestive…
Lajme
Në Gjykatën Speciale janë vërejtur parregullsi në proceset gjyqësore, që nuk mund të pasqyrohen plotësisht me monitorim përmes transmetimit të seancave. Ekspertët theksojnë se vetëm monitorimi fizik në sallë mund ta evidentojë realisht qasjen e palëve dhe parregullsitë në proces, monitorim që nxjerr raporte përkatëse më pas.
Mimika e ironizim të gjyqtarëve, pyetje sugjestive dhe parregullsi, madje edhe reagime të tyre në forma të ndryshme janë vërejtur në sallën e Gjykatës Speciale përgjatë proceseve gjyqësore. Ndaj këtyre veprimeve kanë reaguar edhe vetë të akuzuarit, ndonëse jo të gjitha veprimet e palëve shihen nga platforma e transmetimit ‘online’, për shkak të mungesës së monitorimit adekuat, ndërsa deri më tani mungojnë edhe raporte të organizatave ndërkombëtare që kanë monitoruar proceset në ish-tribunalet për krime lufte.
Nga këndvështrimi i ekspertëve të drejtësisë, monitorimi i Speciales kryesisht është bërë nga organizatat joqeveritare, madje edhe në baza vullnetare, pa mbështetje të shtetit dhe me mungesë fondesh, përfshirë edhe mediat, në mënyrë që gjithçka të përcillet në vazhdimësi nga salla e gjyqit, pasi monitorimi ‘online’ ka mangësi.
“Dallon monitorimi i IKD-së nga zyrat e saj përmes platformës elektronike nga ambientet e gjykatës speciale. Nuk jemi në gjendje me pa shumë ndodhi që ndodhin në sallën e gjykatës sepse aty kemi trupin gjykues, prokurorin, mbrojtjen. Nga aty shihet edhe përmes minikave qasja e gjyqtarëve, a janë të pavarur, a kanë qasje më diskriminuese apo qasje që i kapë vetëm monitorimi që është brenda sallës së gjykatës, që nuk mund të bëhet vetëm nga jashtë”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, nënvizon se monitorimi ‘online’ nuk e mundëson krijimin e një qasjeje objektive të gazetarëve, duke vënë në pah se rastet që i ka trajtuar Specialja deri më tani janë shoqëruar me probleme teknike, seanca të mbyllura dhe të redaktuara në masë më të madhe. Dhe kjo cenon parimin e transparencës dhe publicitetit, pavarësisht se Specialja është thirrur në kërkesat e dëshmitarëve gjoja për mbrojtjen e identitetit.
“Prezenca fizike dallon prej monitorimit ‘online’, sepse prezenca në sallë shpërfaqë edhe gjestet, mimikat e secilës palë në procedurë. Kohë pas kohe ka pasur edhe pengesa teknike të internetit etj., ndërsa me prezencë fizike këto lloj pengesash nuk ekzistojnë. Sa i përket raporteve kredibile të organizatave, deri më tani nuk kemi parë ndonjë publikim i cili i trajton të gjitha rastet veç e veç dhe për secilin rast me dalje të gjetjeve apo rekomandime për institucionet konkrete”, tha Amer Alija nga FDHK për RTK.
Organizatat që vazhdojnë t`i monitorojnë proceset gjyqësore online në Speciale, paralajmërojnë se do të dalin me raporte gjithëpërfshirëse, me aq sa kanë pasur mundësi t`i përcjellin. Ndërkohë nuk ka raporte nga organizatat e besueshme ndërkombëtare që monitorojnë proceset gjyqësore të cilat shpërfaqin edhe parregullsitë për Specialen.