Gjykata bllokon renovimin e stadiumit të Realit

Gjykata Supreme e Madridit ka anuluar marrëveshjen për renovimin e stadiumit të Real Madridit, Santiago Bernabeu.

Sport

11/02/2015 08:50

Gjykata Supreme e Madridit ka anuluar marrëveshjen e 15 nëntorit të vitit 2012, të lëshuar nga Këshilli Drejtues i Komunitetit të Madridit, i cili kishte miratuar kërkesën e Loc Blancos për rimodelimin e stadiumit Santiago Bernabeu.

Në janar të vitit të kaluar, gjiganti madrilen kishte propozuar projektin për renovimin e stadiumit, që do të kushtojë rreth 400 milionë euro.

Por, gjërat nuk janë duke shkuar sipas planit.

“Gjykata Supreme e Madridit ka anuluar marrëveshjen e 15 nëntor 2012 të lëshuar nga Këshilli Drejtues i Komunitetit Komunal të Madridit, i cili miratoi ndryshimin e planit të përdorimit të tokës në lidhje me stadiumin Santiago Bernabeu”, thuhet në komunikatën e Real Madridit.

Tani, klubi spanjoll do të bashkëpunojë me Këshillin Bashkiak dhe Komunën e Madridit në zgjidhjen e çështjes.