Gjuha e Jabllanoviq, si propaganda shoviniste serbe

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se gjuha e përdorur nga ministri Aleksandar Jabllanoviq ndaj nënave të të pagjeturve është e barazvlefshme me propagancën shoviniste serbe.

Lajme

11/01/2015 13:06

Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se me quajtjen “egërrsira” të qytetarëve të Gjakovës nga Jallanoviq, i është kujtuar shovinizmi serb, i cili ushqente urrejtjen ndal shqiptarëve duke i quajtur ata “njerëz me bishta apo kafshë”.

Më poshtë mund të lexoni postim e plotë të Vjosa Osmanit:

Rreth deklaratës së Ministrit ‪#‎Jablanoviq, se viktimat në Kosovë janë viktima të ‪#‎NATO-s:

Në rastin e Tribunalit Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi (ICTY) kundër ish Presidentit të Serbisë, Milan Milutinovic, për krimet e kryera në Kosovë, kjo gjykatë ndërkombëtare pat vendosur se viktimat në Kosovë nuk janë viktima të bombardimeve të NATO-s por të terrorit, represionit dhe krimeve kundër njerëzimit e krimeve të luftës të kryera nga forcat shtetërore serbe. E njëjta është përsëritur edhe gjatë procedurës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Mendimin Këshillëdhënës rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës, dhe Jablanoviq është ministër i kësaj Republike (e jo i asaj fqinje).

Përndryshe, gjuha e tij ku qytetarët e Gjakovës quhen egërsira është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe, e cila me vite të tëra, edhe në televizionin shtetëror serb, ushqente urrejtje ndaj shqiptarëve duke i quajtur ata njerëz me bishta apo kafshë.