Gjermania kërkon proces të drejtë ligjor për kosovarët e arrestuar në Serbi

Shteti i Serbisë, gjatë këtij viti ka shpeshtuar dhe rritur numrin e rasteve të kosovarëve të ndaluar dhe të arrestuar nga autoritetet serbe, derisa ata po e përdornin Serbinë si tranzit për të hyrë apo dal nga Kosova. Një rast i tillë, është edhe ai i ish pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut i…

Lajme

12/08/2025 21:01

Shteti i Serbisë, gjatë këtij viti ka shpeshtuar dhe rritur numrin e rasteve të kosovarëve të ndaluar dhe të arrestuar nga autoritetet serbe, derisa ata po e përdornin Serbinë si tranzit për të hyrë apo dal nga Kosova.

Një rast i tillë, është edhe ai i ish pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut i cili u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare Hungari-Serbi derisa po vinte nga Gjermania për në Kosovë.

Autoritetet e drejtësisë atje i kanë shqiptuar fillimisht masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”, ndërsa më 9 korrik i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj.

Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Por, pas arrestimit të tij, Policia e Kosovës pati deklaruar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë – ai “ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”.

Në lidhje me arrestimin e tij, ministri i Shtetit gjerman, Gunther Krichbaum ka thënë për lajmi.net se po e monitorojnë nga afër arrestimin e Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe.
“Ne gjithashtu po monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë, e cila thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, ka thënë Krichbaum për lajmi.net.
Përveç Spahiut, ministri gjerman ka përmendur edhe arrestimin e Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popoviç nga Policia e Kosovës, arrestim ky për të cilin ka thënë se po e monitorojnë gjithashtu.

“Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Evropian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popović, në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”, ka thënë ministri gjerman Krichbaum.

Ai iu ka kujtuar të gjithë akterëve të përfshirë si në Kosovë edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore evropiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE, shkruan lajmi.net.

Pas Arbnor Spahiut, nga autoritetet e Serbisë në Kosovë është arrestuar më 4 gusht Behar Preniqi.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë thënë se ai është ndaluar në kufirin serbo-kroat.

“Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e MPJD.

Në korrik të vitit 2025 nga autoritetet e Serbisë është arrestuar edhe Lulzim Halili nga qyteti i Pejës.

Ai u ndalua nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë, e njohur si BIA, në qytetin e Svilanacit, në Serbi.

Siç raportuan meidat serbe, ai u arrestua nën dyshimin për krime lufte ndaj popullatës serbe gjatë luftës në Kosovë, megjithëse detajet konkrete nuk janë bërë ende publike zyrtarisht.

Sipas këtyre raportimeve, Halili kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e mohuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë, të cilët thanë se Halili nuk gjendet në asnjë nga listat e ushtarëve që ata posedojnë, e as në atë të Pejës.

“Sa i përket rastit konkret, arrestimit dje, kemi informacione të sakta nga burimet tona dhe nga regjistrat tonë, se personi në fjalë nuk është pjesë e organizatës së veteranëve të luftës, dhe nuk ka qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë”, ka thënë Fatmir Sopi, Nënkryetar i OVL-UÇK-së.

Arrestimet e kosovarëve në Serbi muajve të fundit janë bërë të shumta, ndërkaq si nga institucionet në vend ashtu edhe nga organizatat e dala nga lufta iu është bërë thirrje në vazhdimësi, ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë mërgimtarëve që t’i shmangen udhëtimeve nëpër Serbi. /Lajmi.net/