Gjermani: Kapen mbi 250 kilogramë suxhuk brenda autobusit nga Kosova
Mbi 250 kilogramë suxhuk janë kapur nga Dogana gjermane brenda autobusit nga Kosova. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dieles në aeroportin e Stuttgartit. Siç bëhet e ditur nga dogana, zyrtarët vunë re një erë të fortë që vinte nga disa çanta që ishin të vendosura te ngarkesa. Saktësisht sasia e kapur nga autoritetet atje…
Lajme
Mbi 250 kilogramë suxhuk janë kapur nga Dogana gjermane brenda autobusit nga Kosova.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dieles në aeroportin e Stuttgartit.
Siç bëhet e ditur nga dogana, zyrtarët vunë re një erë të fortë që vinte nga disa çanta që ishin të vendosura te ngarkesa.
Saktësisht sasia e kapur nga autoritetet atje është 252.8 kilogramë, transmeton Klankosova.tv.
Përveç suxhukut, doganierët zbuluan edhe 700 cigare (30 shteka) që dyshohen të jenë të kontrabanduara dhe mallra të tjera që ishin importuar në Bashkimin Evropian pa deklaratë doganore.
Këtu përfshihen katër dritare alumini me roleta me vlerë 720 euro, një kuzhinë me vlerë 400 euro dhe një kondicioner me vlerë 640 euro.
Ndaj dy shoferëve dhe një personi tjetër kanë nisur procedurat për evazion fiskal.
Më tutje, shoferët e autobusëve përballen me një gjobë nga Zyra e Qarkut të Esslingen për importimin e paligjshëm të produkteve të salçiçeve.
Gjatë inspektimit, oficerët sekuestruan gjithashtu një qenush të racës Maltipoo, afërsisht pesë muajsh, me vlerë rreth 2 mijë e 200 euro.
Dyshohet se qenushi nuk kishte vaksinën e kërkuar kundër tërbimit për import dhe ishte vendosur në karantinë në një strehë kafshësh.
Edhe në këtë rast, u iniciuan procedura për evazion fiskal me dyshimin për importim komercial.
Vitin e kaluar, zyrtarët doganorë në Aeroportin e Stutgartit sekuestruan dhe hoqën nga udhëtarët gjithsej afërsisht 4.2 tonë produkte ushqimore të paimportueshme.