Gjendje e rëndë me Covid-19 në Kosovë, s’ka vaksinë, as institucionet as qytetarët nuk i respektojnë masat

Mos sigurimi i hershëm i vaksinës antiCovid, mos respektimi i masave të vendosura nga Qeveria dhe varianti i ri i koronavirusit po e rëndojnë akoma më shumë situatën me pandemi në Kosovë.

Lajme

02/02/2021 16:22

Derisa situata me pandeminë e Covid-19 në vendin tonë po vazhdon të jetë e rëndë, përmirësimi i saj, sipas gjendjes aktuale, nuk pritet të ndodh shumë shpejt.

Kështu ka thënë për lajmi.net infektologu Hamdi Ramadani.

Ai ka fajësuar qytetarët për mos respektim të masave antiCovid, por edhe partitë politike, të cilët po i shkelin këto masa me tubimet e fundit zgjedhore që po mbahen në vend.

Po ashtu Ramadani ka thënë se edhe varianti i ri i Covid-19, do ta përkeqësojë akoma më shumë gjendjen me pandemi. Derisa shtonë se Kosova ende nuk ka nisur me vaksinimin e qytetarëve.

“Masat nuk po respektohen, vaksinimi nuk ka filluar, kështu që këto janë dy elemente bazë, pra arma kryesore që ta luftojmë, pandeminë, e mendoj që këto të dyja i kemi jashtë, nuk i kemi të kontrolluara dhe nuk i kemi në nivelin duhur. Vaksinimin pra ende nuk  ka nis e kemi zero, ndërsa masat nuk po respektohen fare. Tubime që po behën në formë masive nga partitë politike, ku nuk respektohen masat ligjore antiCovid, siç është kufizimin i njerëzve ose ma pak njerëz të grumbulluar, mbajtja e maskës edhe distanca në asnjë mënyrë nuk po respektohen. Këto janë  bazat thelbësore që të ndalet virusi, për fat të keq edhe njerëzit që mbajnë pozita, institucione të larta, në vend që t’iu përmbahen rregullave antiCovid, ata po bëjnë fushata, po e thyejnë ligjin antiCovid, pra nuk po i respektojnë masat”, ka thënë Ramadani.

Duke folur për variantin e ri të Covid-19, Ramadani tha se kjo e bënë edhe me të rëndë gjendjen, pasi që ende nuk kemi një program të mirëfilltë, në kuptimin së kur do të fillojë vaksinimin, si metodë që do ndikonte në zvogëlimin e kësaj sëmundje.

Sipas tij, situata do të ishte nën kontroll në qoftëse ne do t’i kishim në 100 mijë banorë 50 ose 60 të infektuar, por, siç tha ai, vendi jonë ka numrin shumë më të madh.

“Ndërsa ende nuk e kemi vaksinën antiCovid, ajo do ta mbrojë popullatën, mbi 65 deri në 70 për qind nëse bëhet imunizimi i popullatës, atëherë pandemia veç ulet dhe zvogëlohet numri i rasteve, ndërsa ne ende jemi larg kësaj situate ende nuk kemi filluar me vaksinën, ende nuk dihet se kur do të fillojë. Prapë po them kemi frikë se edhe varianti i ri i Covid-19 që është konfirmuar në vendin tonë, sikur që po dominonim edhe në shtetet me të zhvilluara, tash kjo do të fillojë të dominojë edhe tek ne. Po them respektimi i masave themelore kundër Covid-19, një vaksinim që do të ishte i mirëseardhur, do ta bënte që pandemia të fillojë të zvogëlohet në mënyrë masive. Përndryshe kështu qysh po shkon situata, nuk jemi mirë, nuk e kemi situatën nën kontroll. Situata do të ishte nën kontroll në qoftëse ne do t’i kishim në 100 mijë  banorë 50 ose 60 të sëmur, për fat të keq ne e kemi numrin shumë më të madh, kështu që nuk e kemi të kontrolluar, prandaj gjendja e kemi shumë të rënde dhe të brisht. Edhe me rrezik edhe të rritjes së vdekshmërisë. E gjëja me e madhe këtu kishte me qenë që institucionet të shtrëngojnë masat, pastaj të ndalohen tubimet njerëzit mos të grumbullohen në 100 e 200 ashtu si po i shohim e që është rrëqethëse, dhe se dyti mbetet obligim i institucioneve që ta sigurojnë vaksinën, sepse në këtë mënyrë nis një fillim i mbarë i uljes në nivel drastik i rasteve me Covid-19. Ne qoftëse do të kishte filluar vaksinimi, brenda një ose dy, në qoftëse masat do të ishin më shtrëngese unë kisha shpresuar që  në 100 ditët e ardhshme situata në Kosovë do të ishte krejt ndryshe, pra do të ktheheshim në normalitet”, ka thënë Ramadani.

“Ju e dini që ne vendin tonë janë rreth 1 mijë e 500 raste të vdekjeve. Pra ju e dini që edhe në botë pandemia është e pranishme, por atje ka filluar në masë të madhe vaksinimi dhe imunizimi dhe së dyti atje po respektohen në mas më rigoroze masat shtrënguese, si në Francë në Gjermani e në shumë vende të tjera, në kuptimin e zvogëlimit të lëvizjeve, përdorimit obligativë të maskës, distanca, ndërsa këtu nuk po zbatohen këto masa dhe krejt kjo e bënë situatën që situatën për fat nuk e kemi të mirë”, ka thënë tutje Ramdani.

Ndërkohë, Ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se vaksina anti-Covid do të vijë në Kosovë gjatë muajit shkurt.

Madje, ai tha se IKShPK-ja ka përcaktuar që të vaksinohen më shumë se 75% e popullatës, duke theksuar se do të fillojnë me të moshuarit, të sëmurët kronik dhe personeli shëndetësor”. /Lajmi.net/