​Kurti takohet me liderë evropianë në kuadër të Samitit në Jerevan, përmend edhe një bisedë me kryeministrin britanik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Jerevan. Në pritjen zyrtare, Kurti u mirëprit nga Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe Kryetari i Kuvendit armen, Alen Simonyan. Gjatë…

Lajme

03/05/2026 22:48

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Jerevan.

Në pritjen zyrtare, Kurti u mirëprit nga Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe Kryetari i Kuvendit armen, Alen Simonyan. Gjatë mbrëmjes, ai zhvilloi bashkëbisedime me liderë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse, ku u diskutua për zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet shteteve.

Në këtë kuadër, Kurti pati takime me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin, Zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, si dhe Kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas.

Sipas Kurtit, këto takime shërbyen për shkëmbim idesh dhe qëndrimesh mbi çështje me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në nivel evropian.