Gjendet i vdekur punëtori teknik i Shkollës “Luigj Gurakuqi” në Prizren
Një punëtor teknik i Shkollës Fillore “Luigj Gurakuqi” në Prizren, i cili përkujdesej për ngrohtoren është gjendur i vdekur në bodrumin e shkollës.

Lajme
Policia e Prizrenit njofton se sot në mëngjes kanë marr informacionet se është gjetur pa shenja jete punëtori teknik i kësaj shkolle.
“Rreth orës 07:40 minuta, policia në Prizren ka pranuar një informacion i cili bënte me dije se në bodrumin e Shkollës Fillore “Luigj Gurakuqi” ishte gjetur pa shenja jeta punëtori teknik i cili përkujdesej për ngrohtoren e shkollës. Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi i hetuesve rajonalë dhe krim teknika. Po ashtu në vendin e ngjarjes ishte edhe prokurori i shtetit dhe mjeko ligjorët të cilët e kanë marrë trupin e pa jetë për autopsi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas policisë në vendin e ngjarjes kontributin e tyre e ka dhënë edhe një njësi e zjarrfikësve, si dhe inspektorët e punës. Ndërsa, pas hetimeve fillestare nuk janë vërejtur dëmtime në sistemin e ngrohtores.
Po ashtu, Policia e Prizrenit njofton se sot, në orët e paradites është vetë dorëzuar i dyshuari E. Shemollari i cili ishte i kërkuar nga organet e drejtësisë ngase ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka marrë pjesë në vrasjen e trefishtë që pati ndodhur ditën e diele në Prizren.
I dyshuari, në prani të avokatit mbrojtës është pyetur për ngjarjen nga hetues rajonalë, ndërsa më pas i njëjti është dërguar për në Gjykatën Themelore në Prizren për procedurë të më tejme. (KP)