Gërvalla: Projektligji për Specialen do të analizohet me kujdes, pastaj i dërgohet Qeverisë – nuk do ta vonojmë, por as nuk duam të nxitohemi
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çdo ndërhyrje ligjore që prek Dhomat e Specializuara kërkon trajtim të kujdesshëm dhe vlerësim të detajuar nga ekspertët. Duke folur për propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Gërvalla tha…
Lajme
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çdo ndërhyrje ligjore që prek Dhomat e Specializuara kërkon trajtim të kujdesshëm dhe vlerësim të detajuar nga ekspertët.
Duke folur për propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Gërvalla tha se Ministria e Drejtësisë tashmë është duke e shqyrtuar atë, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, pas përfundimit të analizës, ministria do t’ia përcjellë Qeverisë qëndrimin e saj, ndërsa theksoi se procesi nuk do të zvarritet.
“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se ekspertët e ministrisë janë duke e analizuar projektligjin e propozuar nga PDK-ja dhe se opinioni do t’i dërgohet Qeverisë sapo të përfundojë puna.
“Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, u shpreh ministrja.
Gërvalla foli edhe për 26 shtatorin, duke kujtuar masakrën e familjes Deliu në Abri të Epërme, të vitit 1998, si dhe referendumin për pavarësinë e Kosovës të vitit 1991.
Ajo e cilësoi vrasjen e 23 anëtarëve të familjes Deliu si një prej krimeve më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se, sipas saj, autorët nuk janë dënuar për këtë masakër.
“Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme u krye një nga masakrat më mizore të Serbisë: gjenocidale vrasja e 23 anëtarëve të familjes Deliu. Ky është një fakt i pamohueshëm, siç është e pamohueshme edhe e vërteta jonë për Luftën Çlirimtare. Askush nga autorët e krimit nuk u dënua deri sot për këtë masakër mizore”, tha ajo.
Duke folur për referendumin e vitit 1991, Gërvalla kujtoi se votimi për pavarësinë e Kosovës kishte nisur më 26 shtator dhe kishte përfunduar më 30 shtator, ndërsa përmendi edhe organizimin e votimit në Tiranë për qytetarët e Kosovës.
“Gjithashtu, data 26 shtator 1991 na kujton fillimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt deri më 30 shtator, dhe ku me dukshëm më shumë se 90% të votave qytetarët e Kosovës e shpallën Kosovën Republikë të Pavarur”, deklaroi Gërvalla.
Ajo tha se ndihet krenare për rolin që kishte në organizimin e këtij procesi.
“Ndihem shumë krenare dhe ndihem shumë e privilegjuar që e kam bashkëorganizuar dhe drejtuar këtë proces të rëndësishëm. Sot Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht”, përfundoi ajo./lajmi.net/