Kërkesa pas kërkese, Specialja i mbylli dyert mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës tregojnë një varg përpjekjesh ligjore të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilat janë rrëzuar nga instancat gjyqësore të këtij institucioni. Dokumentet e Speciales tregojnë se kërkesat e mbrojtjes në disa raste janë refuzuar nga Gjykata Supreme,…

Lajme

26/09/2026 14:20

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës tregojnë një varg përpjekjesh ligjore të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilat janë rrëzuar nga instancat gjyqësore të këtij institucioni.

Dokumentet e Speciales tregojnë se kërkesat e mbrojtjes në disa raste janë refuzuar nga Gjykata Supreme, ndërsa referimet në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese janë shpallur të papranueshme, transmeton lajmi.net.

Kërkesat e Veselit dhe Krasniqit përfunduan në Gjykatën Supreme

Kadri Veseli kishte paraqitur më 29 qershor 2022 një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë lidhur me vazhdimin e paraburgimit. Më 15 gusht të po atij viti, Gjykata Supreme e hodhi poshtë kërkesën në tërësi, duke konstatuar se nuk kishte shkelje thelbësore procedurale dhe duke i cilësuar disa argumente si të papranueshme.

Një tjetër kërkesë e Veselit u paraqit në nëntor 2025, kësaj here lidhur me refuzimin e kërkesës së tij për lirim të përkohshëm. Edhe kjo kërkesë u rrëzua më 19 dhjetor 2025.

Në një situatë të ngjashme u gjend edhe Jakup Krasniqi. Kërkesa e tij për mbrojtjen e ligjshmërisë, e paraqitur në nëntor 2025, u hodh poshtë më 30 dhjetor. Sipas Speciales, disa prej bazave të paraqitura nga mbrojtja ishin të papranueshme ose tejkalonin kompetencat e Gjykatës Supreme.

Edhe referimet kushtetuese u shpallën të papranueshme

Më 28 shkurt 2022, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi iu drejtuan Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tyre themelore gjatë procedurave penale.

Më 13 qershor 2022, këto referime u shpallën të papranueshme, pasi gjykata konstatoi se nuk kishte shfaqje të shkeljes së të drejtave kushtetuese.

Edhe Hashim Thaçi kishte paraqitur referim në të njëjtën instancë. Kërkesa e tij e parë, e bërë në shkurt 2022, u shpall e papranueshme në qershor të atij viti.

Një tjetër referim i Thaçit, i paraqitur në gusht 2024 dhe që lidhej me masat e posaçme hetimore gjatë paraburgimit, u shpall sërish i papranueshëm në nëntor 2024.

Procesi përfundoi me dënime të rënda

Këto vendime procedurale janë pjesë e një procesi që përfundoi më 16 shtator 2026 me shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Sipas aktgjykimit të publikuar nga vetë Specialja, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Trupi Gjykues i shpalli fajtorë për disa krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Pikërisht fakti se disa prej kërkesave të mbrojtjes janë mbyllur me vendime që i kanë shpallur ato të papranueshme ka qenë objekt kritikash nga mbështetësit e të akuzuarve.

Ndërkohë, pas aktgjykimit të 16 shtatorit, çështja nuk konsiderohet domosdoshmërisht e përfunduar, pasi vendimi i shkallës së parë mund të jetë objekt i procedurave të mëtejshme sipas rregullave të Dhomave të Specializuara./lajmi.net/