Gazeta austriake: Opozita po bën luftë për pushtet, i frikësohen Gjykatës Speciale

Gazeta prestigjioze austriake "Der Standard" në një shkrim të gjatë për situatën politike të krijuar në Kosovë ka analizuar raportet e partive në pozitë dhe opozitë.

Lajme

14/10/2015 13:07

Në këtë artikull të botuar sot në këtë të përditshme thuhet se pikënisja e kundërshtimit janë disa marrëveshje që janë arritur mes Kosovës dhe Serbisë, si ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Por, sipas gazetës, opozita e cila përbëhet nga nacionalistë dhe disa komandantë të UÇK-së, kundërshtimin e marrëveshjeve e kanë vetëm një luftë për pushtet dhe frikë nga përndjekja ndërkombëtare, pas themelimit të gjykatës speciale, transmeton Indeksonline.

“Në prapaskenë është duke u zhvilluar një luftë për pushtet ndërmjet ish-anëtarëve të UÇK-së. Partitë opozitare Vetëvendosje, Nisma dhe AAK, të cilat kanë lidhje me ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, janë duke luftuar në mënyrë agresive PDK-në, e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili gjithashtu vjen nga kampi i UÇK-së”, thuhet në këtë shkrim.

Gazeta më tej shkruan se sidomos shefi i AAK-së, ish udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, është në një konflikt me Thaçin, meqë ky nuk ia kishte lëshuar postin e kryeministrit, pas kthimit nga Tibunali i Hagës.

“Haradinaj ka paralajmëruar që përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm fillimi. Haradinaj njihet si njeri shumë brutal. Ai ka një ndikim të madh, sidomos në rajonin e Dukagjinit. Më tej, ish ushtarët e UÇK-së frikësohen që mund të përfundojnë në Tribunalin e ri kundër krimeve të luftës, e cila është kërkuar nga SHBA dhe Evropa”, thuhet në artikull.

Në këtë artikull përshkruhen aktivitetet e partive opozitare për të parandaluar jetësimin e marrëveshjeve të ndryshme që janë arritur në Bruksel.