Gati planin për çerdhet

Shpend Ahmeti gjatë mandatit të tij premton çerdhe për çdo 2500 banorë. Thotë se çerdhet do të ndërtohen në bazë të standardeve europiane.

Lajme

10/10/2013 16:48

Kandidati për Prishtinë Shpend Ahmeti ka gati planin për çerdhet.

Nëse merr mandatin për Kryetar të Komunës së Prishtinës, ai ka premtuar që për çdo 2500 banorë do të ketë një çerdhe.

Ahmeti tha se do t’i shkojë planit sipas standardeve europiane.

“Sipas këtyre kritereve për çdo 2500 banorë duhet të jetë një çerdhe. Rrezja e mbulueshmërisë duhet të jetë me distancë 400 metra në lagje, sipërfaqja e lokacionit duhet të jetë 25 metra katrorë, për fëmijë”.

“Në  prill dhe maj të vitit 2014 do t`i zhvillojmë diskutimet publike me qytetarët nëpër lagje për të diskutuar për nevojat që kanë për çerdhet publike”.

“Deri në qershor të vitit 2014 bashkësitë lokale në bashkëpunim me drejtoritë përkatëse duhet të bëjnë identifikimin e hapësirave ekzistuese publike që mund të transformohen në çerdhe”.

“Deri në qershor të vitit të ardhshëm do të bëhet plani i detajuar ekonomik-financiar dhe në qershor ne jemi gati që këtë plan ekonomik financiar ta diskutojmë ta integrojmë në diskutimet për buxhetit për vitin 2015”.

Ahmeti ka porositur të gjithë kandidatët për kryetarë që të ofrojnë zgjidhje e jo vetëm të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërsa Dardan Sejdiu ka kritikuar Qeverinë aktuale të Komunës, duke thënë se Komuna i ka kompetencat për ta furnizuar qytetarin me ujë.

“Kompania regjionale e ujit është në pronësi të Qeverisë por kjo nuk do të thotë ashtu siç e parasheh statuti, ashtu siç e parasheh edhe ligji për vetëqeverisje lokale se Komuna nuk ka forcë politike dhe nuk duhet të merret me problemin e ujit”.

“Në vitin 2009 kanë premtuar se do të keni furnizim të rregullt me ujë tani na thonë që nuk është kompetencë e komunës dhe dy ditë më vonë na tregojnë që do të kemi investime 60 milion euro”.

“Kryetari i Komunës së Prishtinës duhet të kujdeset që të furnizojë qytetarin e kësaj Komune me ujë”.