Gashi: Qeveria Kurti humbjet e qytetarëve i promovon si fitore, LDK mbetet adresa e vetme për shtetin

Lajme

23/01/2022 16:15

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi përmes një publikimi në Facebook ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës.

Gashi ka deklaruar se Qeveria, humbjet e qytetarëve i promovon si fitore, teksa feston në emër të suksesit imagjinar.

Sipas Gashit kjo terapi politike e ka origjinën te qeveritë e paafta dhe populiste, të cilat nuk ndalen me kaq, ngase fillojnë një fushatë të egër arsyetuese dhe fajësuese ndaj të gjithëve, transmeton lajmi.net.

Arben Gashi deklaroi se përfundimisht çdo ditë e më shumë po dëshmohet se LDK, është adresa e vetme për zhvillimin e shtetit tonë.

Postimi i plotë:

Paaftësia qeverisëse; humbjet e qytetarëve i promovon si fitore, gjersa feston në emër të suksesit imagjinar.
Edhe një javë shtesë me rezultat të dobët. Nga paaftësia qeverisëse po sfidohet dhe dëmtohet mirëqenia e qytetarëve, ndërsa hallet e problemet e tyre vetëm sa shtohen përditë e më shumë.
Paaftësia qeverisëse, zgjidhjet e problemeve i ka të thjeshta “Shto një problem për të shuar një tjetër”. Kjo terapi politike e ka origjinën te qeveritë e paafta dhe popullsite, të cilat nuk ndalen me kaq, ngase fillojnë një fushatë të egër arsyetuese dhe fajësuese ndaj të gjithëve. Në shumë raste i fajësojnë edhe qytetarët. E pastaj vazhdojnë me propagandën e suksesit imagjinar, duke i mohuar të vërtetat e prekshme dhe të dëmshme, të jetueshme dhe reale. Kulmin e padrejtësisë e arrijnë kur humbjet e qytetarëve i promovojnë si fitore, gjersa festojnë në emër të suksesit imagjinar. E papranueshme. Krejt e padrejtë.
Sepse, nuk mund t’i thuash qytetarëve: urime për rritjen e çmimeve.
Apo, gëzohuni se tash e tutje do të keni mundësi të blini e të ushqeheni më pak.
Nuk mund t’i thuash qytetarëve: vlerësoni pozitivisht faktin që do ta paguani faturën e energjisë elektrike për 300% më shtrenjtë.
Apo, vlerësoni pozitivisht faktin se do të ngroheni më pak e do ta paguani më shumë, ndërsa ju prodhues do të punoni më pak ose aspak.
Nuk mund t’i thuash qytetarëve; përgëzime se po thyejmë rekord të zi me numër të të infektuarve. Nuk bën. Nuk duhet. Është keq.
Përfundimisht, çdo ditë e më shumë po dëshmohet se, LDK – partia e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, është adresa e vetme dhe adekuate për zhvillimin e shtetit tonë të dashur./Lajmi.net/