Gashi i LDK-së thirrje VV-së: Kryetari i kuvendit duhet të zgjidhet me votë të hapur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se votimi për kryetarin e Kuvendit duhet të bëhet në mënyrë të hapur, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Para hyrjes në Kuvend për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës së 42-të konstitutive, Gashi theksoi se çdo ndryshim i procedurës…

Lajme

05/07/2025 20:17

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se votimi për kryetarin e Kuvendit duhet të bëhet në mënyrë të hapur, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Para hyrjes në Kuvend për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës së 42-të konstitutive, Gashi theksoi se çdo ndryshim i procedurës së votimit kërkon mocion procedural dhe shumicë prej dy të tretave të deputetëve të pranishëm, transmeton lajmi.net

“Procedura formale juridike e votimit të kryetarit është vendosur për procedurë të hapur. Kështu ka gjykuar edhe Gjykata Kushtetuese. Ndryshimi i çdo procedure bëhet me mocion procedural. Më së pari duhet të bëhet shmangia nga rregullorja, me 2/3 të deputetëve të pranishëm, e pastaj ndryshimi i procedurës. Mendoj se është e paarsyeshme të ndodhë diçka e tillë dhe duhet të vazhdohet sipas vendimit që është marrë. Kryetari i kuvendit duhet të zgjidhet me votë të hapur”, deklaroi ai.

Gashi u pyet gjithashtu edhe për ndjesinë e sigurisë pas alarmit të rremë për bombë që ndodhi paraditen e së premtes në ambientet e Kuvendit.

“Ndihem i sigurt. Policia e institucionet e sigurisë po e kryejnë punën e vet, por jo ne”, u shpreh deputeti i LDK-së./lajmi.net/